Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 40:1-17

Isaia 40:1-17 AL1

Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj. Flitini zemrës së Jerusalemit, i shpallni atij, se mori fund thirrja nën armë, paudhësia e tij u shlye, se dyfish u ndëshkua prej dorës së ZOTIT për gjithë mëkatet e tij. Ja, një zë thërret: «Bëni gati në shkretëtirë një udhë për ZOTIN, rrafshoni nëpër stepë një shteg për Perëndinë tonë. Le të ngrihet lart çdo luginë, le të ulet poshtë çdo mal e kodër, rruga dredha-dredha le të drejtohet, rrëpira le të bëhet e rrafshët. Lavdia e ZOTIT do të shfaqet e atëherë çdo qenie njëherësh do të shohë, se foli vetë goja e ZOTIT». Ja, një zë thotë: «Shpall!». E pyeta: «Çfarë të shpall?». «Se çdo njeri është si bari, e mirësia e tij si lulja e fushës. Bari thahet e lulja vyshket, kur fryma e ZOTIT puhat mbi të, e vërtet, populli është si bari. Thahet bari, vyshket lulja, por fjala e Perëndisë tonë mbetet në amshim». Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell lajmin Sionit! Ngrije sa më fort zërin, ti që i sjell lajmin Jerusalemit! Ngrije zërin e mos ki frikë, qyteteve të Judës thuaju: «Ja, Perëndia juaj!». Ja, ZOTI Perëndi, po vjen me fuqi, e krahu i tij do të sundojë. Ja, me vete sjell shpagimin, në prani të tij është shpërblimi. Si bariu do ta kullotë kopenë e tij, me krahun e vet do t'i mbledhë qengjat, në gji do t'i mbajë, deleve pjellake me kujdes do t'u prijë. Kush e ka matur me shuplakë detin apo me pëllëmbë qiellin? Kush e mati me masë pluhurin e tokës apo i vuri në peshore malet e në kandar kodrat? Kush e drejtoi shpirtin e Perëndisë apo i dha ndonjëherë këshilla? Me kë u këshillua e mësoi prej tij apo kush ia mësoi shtegun e drejtësisë? Kush i dha atij dije apo i tregoi udhën e mençurisë? Ja, kombet janë si pika e ujit në kovë, çmohen sa pluhuri në peshore. Ja, ujdhesat i ngre si të ishin kokërr pluhuri. Libani s'do të mjaftonte për të ndezur zjarrin, kafshët e tij s'do të dilnin për flinë e shkrumbimit. Kombet mbarë s'janë asgjë para tij, si një hiç e kotësi vlerësohen prej tij.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Isaia 40:1-17

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë