Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 34:1-17

Isaia 34:1-17 AL1

Afrohuni, o kombe, e dëgjoni, ju, o popuj, mbani vesh! Le të dëgjojë toka e gjithçka në të, bota e gjithçka që ajo prodhon! Zemërimi i ZOTIT shfreu mbi gjithë kombet, furia e tij mbi gjithë ushtritë e tyre, shkatërrimin e tyre e ka vendosur, i ka caktuar për shfarosje. Të vrarët e tyre do të hidhen përtokë, era e qelbur e kufomave do të përhapet, malet do të qullen me gjakun e tyre. Tërë ushtria e qiellit do të shfaroset, qiejt si rrotulla do të mblidhen, gjithë ushtria e tyre do të bjerë, siç bien gjethet e hardhisë, si gjethet e thara të fikut. Vringëllon shpata ime në qiell, e ja, përmbi Edomin do të bjerë, mbi popullin që caktova për shfarosje, gjykimin për të kryer. Shpata e ZOTIT kullon gjak, plot dhjamë është mëlmyer, me gjak qengjash e kecash, me dhjamë veshkash dashi, se flija e ZOTIT po kushtohet në Bocrah, kërdi e madhe në vendin e Edomit. Bashkë me ta po theren buaj, mëzetërit bashkë me demat, me gjakun e tyre po dehet toka, dheu i tyre po mëlmehet me dhjamë. Se është dita e hakmarrjes së ZOTIT, viti i shpagimit për hir të Sionit. Përrenjtë e Edomit do të kthehen në katran, dheu i tij do të bëhet squfur, katran i ndezur toka e tij. S'do të shuhet as ditën, as natën, tymi përherë do të dalë prej tij, i shkretë do të mbetet brez pas brezi, kurrë më nëpër të s'do të kalojë kush. Zotër të tij do të jenë huta e iriqi, kukuvajka e korbi në të do të banojnë. Mbi të Zoti do të shtrijë litarin e rrënimit, bashkë me plumbçin e zbrazëtisë. Fisnikë atje s'do të ketë më, që mbretëri atë ta quajnë, të gjithë princat do të jenë zhdukur. Në fortesat e tij do të mbijnë ferra, në kullat e tij hithra e driza, strofull për çakejtë do të bëhet, fole për këlyshët e strucit. Macet e egra do të takohen me hienat, dhitë e egra do të thërrasin njëra-tjetrën, atje do të bëjnë fole egërsirat e natës, aty do të gjejnë strehë. Atje do të ngrejë folenë shigjetulla, vezët e veta aty do t'i shtrojë, do t'i çelë e do t'i rritë nën hijen e saj e atje do të mblidhen bashkë hutat. Kërkoni në librin e ZOTIT e lexoni: «Asnjë prej atyre kafshëve s'do të mungojë, asnjërës s'do t'i mungojë shoqja e vet. E ka urdhëruar Zoti me gojën e vet, vetë shpirti i tij i ka bashkuar. Ai vetë hodhi short për to, dora e tij e ndau tokën me matës. Ato do ta trashëgojnë në amshim, brez pas brezi në të do të banojnë».