Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 3:1-15

Isaia 3:1-15 AL1

Ja! Zoti, ZOTI i ushtrive po heq prej Jerusalemit e prej Judës çdo përkrahje e çdo mbështetje, çdo ndihmë me bukë e çdo ndihmë me ujë, trimin e luftëtarin, gjyqtarin e profetin, shortarin e plakun, kreun e njësisë pesëdhjetëshe, bashkë me fisnikun, këshilltarin dhe magjistarin e aftë, yshtësin plot mjeshtëri. Do t'u vë djelmosha si prijës, foshnjat do të sundojnë mbi ta. Njëri-tjetrin do ta shkelin me këmbë, i afërti do të shtypë të afërtin, i riu do të sillet keq me plakun dhe i pandershmi me të ndershmin. Do të rrëmbejë vëllai vëllanë, brenda në shtëpinë e të atit. «Ja, ku e ke gunën», do t'i thotë. «Prina, kjo rrënojë është tani në dorën tënde». Atë ditë do të ngrejë zërin e do të thotë: «S'kam për t'u bërë mjeku i plagëve, në shtëpi nuk ka as bukë e as gunë, mos më caktoni prijës të popullit». Jerusalemi po rrënohet, Juda po bie, gjuha e veprat e tyre janë kundër ZOTIT, i kundërvihen sy më sy të Lavdishmit. Vetë pamja e fytyrës dëshmon kundër tyre, mëkatin e vet si Sodoma e shpallin e nuk e fshehin. Mjerë shpirti i tyre, se vetes i kanë bërë keq! I thoni të drejtit se është i lum, se do të hajë frytin e veprave të veta. Mjerë i paudhi, fatkeqësitë do ta godasin, do ta gjejnë ato që ka bërë me duart e veta. Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, gratë sundojnë mbi të. O populli im, udhëheqësit e tu po të mashtrojnë e drejtimin e udhës po ta ngatërrojnë. Në këmbë u ngrit ZOTI për të bërë padi, në këmbë po rri për të gjykuar popujt. Po vjen ZOTI për të bërë gjyq me pleqtë e popullit e prijësit e tij: Jeni ju që e shkatërruat vreshtin, në shtëpitë tuaja i keni plaçkat që u rrëmbyet të varfërve. Me ç'të drejtë e shtypni popullin tim dhe dërrmoni fytyrën e të varfërve? Kumton Zoti, ZOTI i ushtrive!

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë