Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 29

29
Paralajmërim Arielit
1Mjerë Arieli!
Arieli, qyteti ku fushoi Davidi.
Le të shtohen vitet njëri pas tjetrit,
le të kremtohen festat sipas radhës së tyre.
2Kam për të sjellë fatkeqësi mbi Arielin,
do të ketë gjëmë e vajtim,
e do të jetë për mua vërtet si një «ariel»#29.2 he. «ariel» vatra e zjarrit të një altari.
3Do të ngre fushimin përreth teje,
me ledh do të të rrethoj,
penda do të ngre kundër teje.
4Do të biesh shumë poshtë,
prej dheut do të flasësh,
nga pluhuri e mbytur do të dalë fjala jote,
zëri yt do të tingëllojë si i dalë prej varrit,
e folura jote do të pëshpëritë prej baltës.
5Të huajt e shumtë, që do të jenë te ti,
pluhurit të imët do t'i ngjajnë,
gjakatarët e tu si byku që e merr era,
e kjo do të ndodhë befas në një çast.
6Do të vijë te ti Zoti i ushtrive,
me gjëmim, me tërmet
e me zhurmë të madhe,
me shakullinë, me stuhi,
me flakë zjarri që përvëlon.
7Si një ëndërr do të jetë, si vegimi i natës,
turma e kombeve që do të luftojë kundër Arielit,
tërë ata që do ta sulmojnë me gjithë fortesat e tij,
do ta rrethojnë nga të gjitha anët.
8Do të jetë si i urituri që ëndërron, se ha,
por, kur zgjohet, barkun zbrazët e ka,
apo si i eturi që ëndërron, se pi,
por, kur zgjohet, është i këputur
e fytin thatë e ka.
Kështu do të jetë turma e gjithë kombeve
që malin e Sionit do të sulmojnë.
9Silluni si të marrë e marrosuni,
silluni si të verbër e verbohuni!
Të dehur, por jo prej verës,
ju merren këmbët, por jo nga pija.
10Ja, Zoti dërgoi mbi ju një shpirt topitjeje,
që i mbylli sytë tuaj, profetët,
që i mbuloi kokat tuaja, vegimtarët.
11Kështu, të gjitha vegimet u bënë për ju si fjalët e një libri të vulosur, të cilin, nëse ia japin atij që di të lexojë e i thonë: «Lexoje këtë!», do të thotë: «Nuk mundem, se është i vulosur», 12apo nëse ia japin atij, që s'di të lexojë, e i thonë: «Lexoje!», do të thotë: «Nuk di të lexoj».
13Ky popull më afrohet veç me gojë, thotë Zoti,
e më nderon veç me buzë,
por zemra e tij është larg meje.
Droja, që për mua kanë,
s'është veçse urdhërim
i mësuar prej njerëzve.
14Prandaj do ta çudis#29.14 ose: Do të bëj edhe më shumë mrekulli edhe më këtë popull,
do ta çudis e do ta mahnis.
Urtia e të urtëve të tij do të marrë fund,
mençuria e të mençurve të tij do të errësohet.
15Mjerë ata që prej Zotit
thellë i fshehin sendërgjimet e tyre,
ata që veprat e tyre në terr i bëjnë e thonë:
«Kush na sheh e kush na njeh?».
16Sa e pështirë!
A çmohet poçari njëlloj si balta?
A i thotë vepra krijuesit të vet
«Nuk më ke bërë ti?».
A i thotë ena poçarit që e bëri
«Qenke krejt i pamend?».
17Edhe pak kohë, edhe shumë pak,
e Libani do të kthehet në pemishte
e pemishtja do të kthehet në pyll.
18Atë ditë të shurdhrit
do të dëgjojnë fjalët e librit;
të çliruar nga errësira e terri,
sytë e të verbërve do të shohin.
19Të varfrit do të gëzojnë
edhe më shumë në Zotin,
skamnorët e njerëzimit
do të ngazëllejnë për të shenjtin e Izraelit.
20Sepse njeriu i dhunshëm do të marrë fund
e përqeshësi do të zhduket,
gjithë ata që sendërgjojnë paudhësi
do të shfarosen,
21ata që fajësojnë të tjerët me fjalë,
që i ngrenë kurth gjykatësit te porta,
që për asgjë e hedhin poshtë të drejtin.
22Prandaj kështu i thotë Zoti shtëpisë së Jakobit,
ai që shpengoi Abrahamin:
që tani e tutje Jakobi nuk do të turpërohet më,
që tani e tutje fytyra më s'do t'i skuqet.
23Kur të shohin bijtë e tij
veprat që do të bëj mes tyre,
do ta shenjtërojnë emrin tim.
Të shenjtin e Jakobit do ta shenjtërojnë,
Perëndinë e Izraelit do ta kenë frikë.
24Shpirtrat e mashtruar do të arrijnë të kuptojnë
dhe ata që murmurijnë do të pranojnë t'i mësojnë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 29: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë