Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 28:14-29

Isaia 28:14-29 AL1

Prandaj dëgjojeni fjalën e ZOTIT, o njerëz shpotitës, ju, që mbi popullin tim sundoni në Jerusalem. «Kemi bërë besëlidhje me vdekjen», thoni, «Me skëterrën kemi bërë marrëveshje, që kur të vijë përmbytja e madhe, të mos na prekë aspak, se për strehë kemi gënjeshtrën, mashtrimin, vendstrehim». Prandaj kështu thotë ZOTI Perëndi: Ja, në Sion do të vë një gur, gur të sprovuar, gur qosheje, gur të çmuar, gur themeli. E kush të besojë në të, nuk ka pse ngutet. Të drejtën do ta bëj matës, drejtësinë plumbç. Por strehën e gënjeshtrës do ta rrënojë breshri, vendstrehimin do ta përmbytin ujërat. Besëlidhja juaj me vdekjen do të zhvlerësohet, marrëveshja juaj me skëterrën s'do të qëndrojë. Kur të kalojë rrebeshi përmbytës, keni për t'u shkelur prej tij. Sa të kalojë, para do t'ju marrë, do të kalojë çdo mëngjes, do të kalojë ditë e natë. Vetëm tmerri do ta përhapë lajmin. Tepër i shkurtër do të jetë shtrati për t'u shtrirë, tepër e ngushtë mbulesa për t'u mbuluar. ZOTI do të ngrihet si në malin e Peracimit, zemërimi i tij do të ndizet si në luginën e Gibeonit, për të kryer veprën e tij, veprën e tij të padëgjuar, për të bërë punën e tij, punën e tij të pazakontë. E tani reshtni së përqeshuri, që të mos ua shtrëngojnë më fort prangat, se kam dëgjuar prej Zotit, ZOTIT të ushtrive, urdhrin e shkatërrimit të mbarë vendit. Mbani vesh e dëgjojeni zërin tim, dëgjojeni me kujdes fjalën time. A lëron çdo ditë bujku për të mbjellë? A e plugon dhe e prashit çdo ditë arën? Pasi ia rrafshon sipërfaqen, a nuk mbjell ai kopër, a nuk hedh farën e kuminit? A nuk e mbjell nëpër vija farën e grurit e të elbit, thekrën anëve të arës? Perëndia e udhëzon atë, ai ia mëson udhën e drejtë. Kopra nuk shihet me shirëse, kumini nuk shtypet me rrotë qerreje, por kopra rrihet me thupër e kumini me shkop. Gruri bluhet, por jo tërë kohën, edhe pse e shijnë mirë e mirë. Kalon mbi të rrota e qerres, por thundra e kalit s'e thërrmon. Edhe kjo vjen prej ZOTIT të ushtrive, që jep këshilla të mrekullueshme, që ka dije madhështore.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë