Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 2:1-11

Isaia 2:1-11 AL1

Fjala, që Isaia, biri i Amosit, pa në vegim për Judën dhe Jerusalemin. Do të ndodhë në ditët e ardhshme, që mali i shtëpisë së ZOTIT do të hedhë rrënjë mbi majat e maleve, përmbi kodra do të lartësohet e kombet mbarë do të vërshojnë drejt tij. Shumë popuj do të vijnë e do të thonë: «Ejani të ngjitemi në malin e ZOTIT, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit, që udhët e tij të na i mësojë, që shtigjeve të tij të ecim». Se prej Sionit do të dalë ligji, prej Jerusalemit fjala e ZOTIT. Ai do ta bëjë gjyqin ndërmjet kombeve, ai do të shpallë vendim për shumë popuj. Do t'i farkëtojnë shpatat e do t'i bëjnë plugje, heshtat në drapërinj do t'i kthejnë. Kombi kundër kombit s'do ta ngrejë shpatën, për luftë më nuk do të ushtrohet kush. Ejani, o ju të shtëpisë së Jakobit, le të ecim në dritën e ZOTIT! Ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, se, ja, plot me doke lindore janë mbushur, plot me shortarë, njëlloj si filistinët, krah për krah me bijtë e të huajve janë lidhur. Toka u është mbushur me argjend e ar, thesaret e tyre nuk kanë të sosur, vendin e kanë plot me kuaj, qerret e tyre nuk kanë të numëruar. Plot e kanë tokën edhe me idhuj, adhurojnë veprën e duarve të veta, çfarë kanë punuar me gishtat e tyre. Prandaj njeriu është përulur, çdonjëri është poshtëruar, por ti mos i fal! Hyr në shkëmb, fshihu në pluhur, para tmerrit të ZOTIT, para shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të përulet, kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet, atë ditë do të lartësohet vetëm ZOTI.