Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 9:2-14

Hebrenjve 9:2-14 AL1

U ndërtua një tendë e parë, në të cilën ndodhej shandani, tryeza e bukët që i kushtoheshin Perëndisë. Kjo tendë quhej «Shenjtërorja». Pas velit të dytë ishte tenda që quhej «Shenjtërorja e shenjtëroreve». Atje ndodhej altari i artë, ku digjej temjani e gjendej arka e besëlidhjes, mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ndodhej qypi i artë, që mbante manën, shkopi i Aronit që kishte lulëzuar dhe rrasat e besëlidhjes. Sipër arkës ndodheshin kerubët e lavdisë, që mbulonin pajtimoren, për të cilët nuk është nevoja të flasim me hollësi tani. Këto ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që në tendën e parë të hynin gjithnjë priftërinjtë për të bërë shërbesat e adhurimit. Ndërsa në tendën e dytë hynte vetëm kryeprifti një herë në vit dhe jo pa gjak kafshësh, të cilin ia kushtonte Perëndisë për mëkatet e veta dhe për mëkatet e popullit, të bëra nga padija. Me këtë gjë Shpirti i shenjtë tregon se udha për te shenjtërorja e shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë. Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton, pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije e me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t'u vijë koha për t'u ndrequr. Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi. Kur Krishti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren e shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepsh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar. Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë.