Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 7:1-10

Hebrenjve 7:1-10 AL1

Ky Melkisedeku ishte mbret i Salemit dhe prift i të tejlartit Perëndi. Kur Abrahami po kthehej nga beteja, ku shfarosi mbretërit, Melkisedeku e takoi dhe e bekoi. Abrahami i dha atij një të dhjetën e gjithçkaje. Emri Melkisedek do të thotë së pari «mbret i drejtësisë». Ai ishte edhe mbret i Salemit, që do të thotë «mbret i paqes». Nuk ia njohim as të atin, as nënën e as paraardhësit. Nuk dimë gjë as për lindjen e as për vdekjen e tij. I ngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim. Pa mendohuni sa i madh ishte ky njeri, të cilit patriarku Abraham i dha të dhjetën e gjithçkaje që kishte plaçkitur. Ata që e kanë marrë priftërinë si pasardhës të Levit, kanë urdhër që, sipas ligjit, të marrin të dhjetën e gjithçkaje nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, pavarësisht se edhe ata kanë dalë prej farës së Abrahamit. Melkisedeku, ndonëse nuk rridhte nga fisi i Levit, mori të dhjetën nga Abrahami dhe e bekoi atë që kishte marrë premtimin e Perëndisë. Dhe pa dyshim, më i vogli bekohet nga më i madhi. Levitët që marrin të dhjetën janë njerëz të vdekshëm, ndërsa për Melkisedekun dëshmohet se jeton. Mund të thoshim se edhe Levi, i cili merr të dhjetën nga të tjerët, nëpërmjet Abrahamit i dha Melkisedekut të dhjetën, sepse ai ishte ende në trupin e atit të tij, Abrahamit, kur ky u takua me Melkisedekun.