Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hebrenjve 10:1-18

Hebrenjve 10:1-18 AL1

Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet. Kur erdhi Krishti në botë, tha: flijime e dhurata nuk deshe, por më bëre gati një trup. Shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatet nuk të pëlqyen. Atëherë thashë: ja ku po vij, o Perëndi, për të bërë vullnetin tënd, sikurse është shkruar për mua në krye të librit. Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë. Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit. Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë: besëlidhja që do të lidh me ta pas atyre ditëve, thotë Zoti, është kjo: unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjen e tyre e do t'i shkruaj në zemrat e tyre. Mëkatet e tyre e paudhësitë e tyre nuk do t'i kujtoj më. Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë