Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hagai 1:1-15

Hagai 1:1-15 AL1

Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e ZOTIT iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e ZOTIT». Fjala e ZOTIT erdhi me anë të profetit Haga: «Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara! Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar! Ndaj, kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Mbillni shumë, por korrni pak, hani, por nuk ngiheni, pini, por nuk ngopeni, visheni, por askush s'ka ngrohtë dhe mëditësit i shkon paga në qese të shpuar. Kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë, që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë ZOTI. Deshët shumë, por ja që morët pak e kur e sollët në shtëpi, ua prisha. Përse? Kumton ZOTI i ushtrive. Sepse shtëpia ime është e rrënuar, ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet. Ndaj, qielli vesë nuk dha, as toka frytin e vet. Thirra thatësirën përmbi tokë e male, përmbi drithë, verë e vaj, përmbi çdo fryt që del prej dheut, përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh». Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e ZOTIT, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar ZOTI, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë ZOTIN. Atëherë Hagai, lajmëtari i ZOTIT, i dha popullit lajmin e ZOTIT: «Unë jam me ju, kumton ZOTI». ZOTI e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së tyre, në ditën e njëzet të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar.