Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Hagai 1:1-14

Hagai 1:1-14 AL1

Në ditën e parë të muajit të gjashtë të vitit të dytë të mbretit Dar, fjala e ZOTIT iu drejtua, me anë të profetit Haga Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës dhe kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive: ky popull thotë se s'ka ardhur ende koha për të ndërtuar shtëpinë e ZOTIT». Fjala e ZOTIT erdhi me anë të profetit Haga: «Paska ardhur koha që ju të banoni në shtëpi të mbuluara! Ndërkohë kjo shtëpi mbetet e rrënuar! Ndaj, kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Mbillni shumë, por korrni pak, hani, por nuk ngiheni, pini, por nuk ngopeni, visheni, por askush s'ka ngrohtë dhe mëditësit i shkon paga në qese të shpuar. Kështu thotë ZOTI i ushtrive: shqyrtojeni mirë udhën që keni marrë! Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtoni shtëpinë, që të kënaqem e të përlëvdohem, thotë ZOTI. Deshët shumë, por ja që morët pak e kur e sollët në shtëpi, ua prisha. Përse? Kumton ZOTI i ushtrive. Sepse shtëpia ime është e rrënuar, ndërkohë secili ngutet për shtëpinë e vet. Ndaj, qielli vesë nuk dha, as toka frytin e vet. Thirra thatësirën përmbi tokë e male, përmbi drithë, verë e vaj, përmbi çdo fryt që del prej dheut, përmbi njerëz, kafshë e çdo mundi duarsh». Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe kryeprifti Jozueh, biri i Jehocadakut, bashkë me tërë tepricën e popullit e dëgjuan zërin e ZOTIT, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Haga, që e kishte dërguar ZOTI, Perëndia i tyre. Populli e pati frikë ZOTIN. Atëherë Hagai, lajmëtari i ZOTIT, i dha popullit lajmin e ZOTIT: «Unë jam me ju, kumton ZOTI». ZOTI e nxiti shpirtin e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritarit të Judës, shpirtin e kryepriftit Jozueh, birit të Jehocadakut dhe shpirtin e tërë tepricës së popullit. Ata erdhën e filluan punën për shtëpinë e ZOTIT të ushtrive, Perëndisë së tyre

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë