Lutja vajtuese e profetit Habakuk.
«O ZOT, dëgjova ç'thuhet për ty,
bëmat e tua më tmerrojnë, o ZOT.
Përtëriji ato në vitet tona,
në vitet tona bëji të ditura.
Kur të zemërohesh,
mëshirën kujto.
Perëndia vjen prej Temanit,
i Shenjti prej malit Paran. selah
Madhështia e tij mbulon qiejt,
lavdia e tij mbush tokën.
Porsi drita shkëlqen,
rreze duart e tij lëshojnë
e atje fshihet fuqia e tij.
Murtaja i paraprin,
lëngata ndjek hapat e tij.
Ai qëndron e toka trandet,
hedh vështrimin e kombet dridhen,
malet e moçme treten,
kodrat e përjetshme përulen,
udhët e amshuara janë të tij.
Tendat e Kushanit i pashë në mjerim,
pëlhurat e tendave të Midianit fërfërijnë.
A u zemërove, o ZOT, me lumenjtë?
A me lumenjtë u ndez tërbimi yt?
A me detin u hidhërove,
që po kalëron mbi kuaj,
mbi karrocat ngadhënjyese?
E zhvesh harkun, e bën gati,
shigjetat i ngjesh në kukurë. selah
Me lumenj e ndan tokën.
Malet të shohin e përpëliten,
shtrëngata shpërthen,
humnera lëshon britmën
e lart duart i ngre.
Shtangen dielli e hëna në qiell
prej dritës së shigjetave të tua fluturuese,
prej shkëlqimit të heshtës tënde flakëruese.
Marshon mbi tokë plot furi,
kombet i shtyp i zemëruar.
Del, që popullin tënd të shpëtosh,
të shpëtosh të vajosurin tënd.
Kryet e shtëpisë ia shembe të mbrapshtit,
e zhveshe nga themeli deri në majë. selah
Me heshtën e vet e shpove kreun e ushtarëve
që furishëm mësynë për të më degdisur
e që thërrasin si të babëzitur,
për të përpirë të mjerin që fshihet.
E shkele detin me kuajt e tu
dhe deti i madh shkumëzon.