Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Habakuku 1:5-17

Habakuku 1:5-17 AL1

Shikoni mes kombeve e vrojtoni, habituni e mrekullohuni, se po bëj diçka në ditët tuaja, s'do ta besoni kur t'jua tregojnë. Ja, po ngre kaldenjtë, një komb i vrazhdë e i rrëmbyer, që kryq e tërthor tokës i bie, për të zaptuar banesat që nuk i takojnë. I tmerrshëm e i frikshëm është ai, bën ligjin dhe nderin e vendos vetë. Kuajt i ka më të shpejtë se leopardi, më të egër se ujqit e natës. Kalorësit e tij kalërojnë, prej larg vijnë ata. Lëshohen porsi shqiponja që prenë e përpin vetëtimthi. Të gjithë ata dalin për dhunë, mori fytyrash vërshojnë e robër mbledhin porsi rërë. Mbretërit i përqesh, prijësit i qesëndis, zgërdhihet me çdo fortesë, se ngre pirgje dhe i pushton. Vërshon si era e kalon tej, është fajtor, se forcën ka për perëndi. O ZOT, ti që je prej fillimit, Perëndia im, i shenjti im i pavdekshëm. O ZOT, për të gjykuar e caktove, o Shkëmb, për të ndëshkuar e vendose. Sytë e tu janë tepër të pastër për ta parë ligësinë e prapësinë nuk e vrojtojnë dot. Përse i vrojton të pabesët, përse hesht kur i mbrapshti përpin të drejtin. E bëre njerëzinë si peshqit e detit, si zvarranikët, që s'kanë zot mbi vete. Kaldeu i gjuan të gjithë me grep, i tërheq me rrjetën e vet e me tratë i mbledh krejt, ndaj gëzohet e galdon, ndaj i flijon rrjetës së vet, i djeg temjan tratës së vet, se falë tyre merr pjesë të majme, ushqim të shijshëm ha. Mos për këtë do të vijojë rrjetën ta zbrazë e popujt pa fund t'i vrasë?».