Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 5:1-32

Zanafilla 5:1-32 AL1

Ky është libri i breznive të Adamit. Kur Perëndia krijoi njeriun, në përngjasimin e Perëndisë e krijoi. Mashkull e femër i krijoi, i bekoi dhe ditën kur i krijoi i quajti «njeri». Adami ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur i lindi një djalë në përngjasimin e në shëmbëlltyrën e tij dhe e quajti Set. Adami jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Seti e pati bij e bija të tjera. Kështu, Adami jetoi nëntëqind e tridhjetë vjet dhe vdiq. Seti ishte njëqind e pesë vjeç kur i lindi Enoshi. Seti jetoi tetëqind e shtatë vjet pasi i lindi Enoshi e pati bij e bija të tjera. Kështu, Seti jetoi nëntëqind e dymbëdhjetë vjet dhe vdiq. Enoshi ishte nëntëdhjetë vjeç kur i lindi Kenani. Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet pasi i lindi Kenani e pati bij e bija të tjera. Kështu, Enoshi jetoi nëntëqind e pesë vjet dhe vdiq. Kenani ishte shtatëdhjetë vjeç kur i lindi Mahalaleli. Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet pasi i lindi Mahalaleli e pati bij e bija të tjera. Kështu, Kenani jetoi nëntëqind e dhjetë vjet dhe vdiq. Mahalaleli ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Jaredi. Mahalaleli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet pasi i lindi Jaredi e pati bij e bija të tjera. Kështu, Mahalaleli jetoi tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe vdiq. Jaredi ishte njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjeç kur i lindi Enoku. Jaredi jetoi tetëqind vjet pasi i lindi Enoku e pati bij e bija të tjera. Kështu, Jaredi jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe vdiq. Enoku ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur i lindi Metushelahu. Enoku jetoi me Perëndinë për treqind vjet pasi i lindi Metushelahu e pati bij e bija të tjera. Kështu, Enoku jetoi treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet. Ai jetoi me Perëndinë e nuk u gjet më, se e mori Perëndia. Metushelahu ishte njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjeç kur i lindi Lameku. Metushelahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet pasi i lindi Lameku e pati bij e bija të tjera. Kështu, Metushelahu jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet dhe vdiq. Lameku ishte njëqind e tetëdhjetë e dy vjeç kur i lindi një djalë. E quajti Noe e tha: «Ky do të na çlodhë nga puna e nga mundimi i duarve tona për shkak të tokës që ZOTI mallkoi». Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet pasi i lindi Noeu e pati bij e bija të tjera. Kështu, Lameku jetoi shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet dhe vdiq. Noeu ishte pesëqind vjeç kur i lindën Semi, Kami e Jafeti.