Juda iu afrua Jozefit e i tha: «Të lutem imzot, lejoje shërbëtorin tënd të të thotë një fjalë e mos u zemëro me të, sepse ti je si faraoni vetë. Imzot i pyeti shërbëtorët e tij nëse ati ynë është gjallë e nëse kemi ndonjë vëlla tjetër. Ne i thamë timzoti se kemi një atë të moshuar dhe një vëlla të vogël që i lindi në pleqëri. Vëllai i tij ka vdekur dhe, meqë e ëma e ka djalë të vetëm, i ati e do fort. Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: “Ma sillni që ta shoh me sytë e mi”. Ne iu përgjigjëm timzoti: “Djali s'mund ta lërë të atin, se po e la, i ati do të vdesë”. Por ti u the shërbëtorëve të tu: “Nëse vëllai juaj i vogël nuk vjen bashkë me ju, s'keni për të më takuar”. Kur u kthyem tek ati ynë e shërbëtori yt, i treguam fjalët e timzoti. Por ai na tha: “Kthehuni e na blini ca grurë”. Ne i thamë se nuk mund të shkonim. Vetëm nëse vëllai ynë i vogël do të ishte me ne, do të mund të shkonim, se pa të nuk mund t'i dilnim përpara atij njeriu. Atëherë im atë, shërbëtori yt, na tha: “Ju e dini që gruaja më lindi dy djem. Njëri më iku e them se më është bërë copë-copë dhe që atëherë nuk e kam parë më. Nëse e merrni edhe këtë prej meje e i ndodh ndonjë gjë, këtë plak do ta hidhëroni e do ta shtini në varr”. Prandaj, nëse shkoj tek im atë, shërbëtori yt, dhe djali nuk është me ne, atëherë im atë, jeta e të cilit varet nga jeta e djalit, do të shohë se djali nuk është e do të vdesë. Kështu, shërbëtorët e tu do ta hidhërojnë plakun e do ta shtien në varr. Shërbëtori yt u bë dorëzanë për djalin para atit tim e i thashë se, nëse nuk ia sjell, do të jem fajtor para tij për tërë jetën. Prandaj, lejoje shërbëtorin tënd të marrë vendin e djalit si skllav i timzoti e djali të shkojë bashkë me vëllezërit. Si mund të shkoj tek im atë, kur djali nuk është me mua? Mos më lër të shoh mjerimin e tim eti!».
Lexo Zanafilla 44
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 44:18-34
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video