Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 41:1-16

Zanafilla 41:1-16 AL1

Pas plot dy vjetësh, faraoni pa një ëndërr: po qëndronte pranë lumit Nil, kur nga lumi po dilnin shtatë lopë të hijshme e të majme e po kullotnin ndër xunkthe. Pas tyre dolën nga lumi edhe shtatë lopë të tjera. Ato ishin të ligshta e të dobëta. Qëndruan pranë lopëve në breg të lumit Nil, e i hëngrën lopët e hijshme e të majme. Atëherë faraoni u zgjua. Pastaj e zuri gjumi e pa përsëri një ëndërr: shtatë kallinj të plotë e të mirë po dilnin nga një kërcell. Pas tyre dolën shtatë kallinj të hollë e të tharë nga era e lindjes, që i përpinë shtatë kallinjtë e plotë. Atëherë faraoni u zgjua. Kishte qenë në ëndërr! Në mëngjes, shpirtin e kishte të trazuar. Dërgoi njerëz e thirri të gjithë magjistarët e dijetarët e Egjiptit. Ua tregoi ëndrrat, por askush nuk mund t'ia shpjegonte. Atëherë i pari i kupëmbajtësve i tha faraonit: «Sot po më kujtohet faji im. Kur faraoni u zemërua me shërbëtorët e tij, na futi në burg, mua dhe të parin e bukëpjekësve, nën ruajtjen e komandantit të truprojës. Një natë, që të dy pamë nga një ëndërr e secila ëndërr kishte kuptimin e vet. Atje, bashkë me ne, ishte një djalosh hebre, skllav i komandantit të truprojës. Ia treguam atij dhe ai na e shpjegoi secilit ëndrrën. Siç na i shpjegoi ai, ashtu edhe ndodhi. Unë u riktheva në detyrë, ndërsa tjetri u var». Atëherë faraoni dërgoi njerëz e thirri Jozefin. Ata e nxorën me të shpejtë nga burgu. Jozefi u rrua, ndërroi rrobat e doli para faraonit. Faraoni i tha Jozefit: «Kam parë një ëndërr e s'ka kush të ma shpjegojë. Kam dëgjuar se ti mund të shpjegosh çdo ëndërr që dëgjon». Jozefi iu përgjigj: «Jo unë, por Perëndia do t'i japë faraonit një përgjigje të mirë».