Jozefin e sollën në Egjipt. Potifari, një egjiptian, oborrtar i faraonit e komandant i rojave, e bleu Jozefin nga dora e ishmaelitëve që e kishin sjellë aty. ZOTI ishte me Jozefin dhe atij i shkonte mbarë. Ai banoi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian. Potifari e pa se ZOTI ishte me të e ia sillte mbarë në çdo gjë që bënte. Jozefi gjeti hir para Potifarit e u bë shërbëtori i tij. Ky e caktoi kujdestar të shtëpisë e gjithçka që kishte e la në dorë të Jozefit. Qëkurse Potifari e vuri kujdestar të shtëpisë e të gjithçkaje të tijën, ZOTI e bekoi shtëpinë e egjiptianit për shkak të Jozefit. ZOTI i bekoi çdo gjë që kishte në shtëpi e në fushë. Potifari ia la në dorë Jozefit gjithçka që kishte e nuk shqetësohej më për asgjë, përveç bukës që hante. Jozefi ishte i bukur e i pashëm. Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin Jozefit e i tha: «Fli me mua!». Jozefi nuk pranoi e i tha: «Falë meje, imzot nuk shqetësohet më për shtëpinë e gjithçka që ka ma ka lënë në dorë. Askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë. Ai nuk më ka mohuar asgjë përveç teje, sepse ti je gruaja e tij. Si të bëj një gjë kaq të keqe e të mëkatoj kundër Perëndisë?». Ndonëse ajo i fliste përditë, Jozefi nuk pranoi të shtrihej e të flinte me të. Por një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punët e veta dhe në shtëpi nuk kishte njeri. Atëherë ajo e kapi prej rrobave e i tha: «Fli me mua!». Ai ia la rrobat në dorë e iku e doli përjashta. Kur pa se Jozefi ia la rrobat në dorë e iku përjashta, thirri njerëzit e shtëpisë e u tha: «Shikoni, im shoq na solli një hebre që tallet me ne. Ai erdhi tek unë që të flinte me mua, por unë bërtita me të madhe. Kur pa se e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku e doli përjashta». Ajo i mbajti rrobat e tij pranë, derisa i zoti erdhi në shtëpi. Pastaj i tha të njëjtën gjë: «Skllavi hebre që na solle, erdhi tek unë që të më ngacmojë. Por kur e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku përjashta». Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: «Kështu ma bëri shërbëtori yt», u zemërua. E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg
Lexo Zanafilla 39
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 39:1-20
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video