Jakobi banoi në tokën e Kanaanit, aty ku kishte banuar edhe i ati. Kjo është historia e Jakobit: Jozefi ishte shtatëmbëdhjetë vjeç e kulloste dhentë bashkë me vëllezërit. Ai ishte ndihmësi i bijve të Bilhës e Zilfës, dy grave të të atit. Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq të vëllezërve të vet. Izraeli e donte Jozefin më shumë se bijtë e tjerë, se e kishte birin e pleqërisë. Ai i bëri Jozefit një tunikë shumëngjyrëshe. Kur vëllezërit panë se ati i tyre e donte më shumë se ata, e urryen Jozefin e nuk i flisnin dot me të mirë. Jozefi pa një ëndërr dhe, kur ua tregoi vëllezërve, ata e urryen edhe më shumë. Ai u tha: «Dëgjoni ëndrrën që pashë. Po mblidhnim dorëza gruri në mes të fushës. Kur ja, dorëza ime u ngrit e qëndroi drejt. Ndërsa dorëzat tuaja u mblodhën përreth e u përkulën me nderim para dorëzës sime». Atëherë vëllezërit i thanë: «A thua do të bëhesh mbreti ynë e do të sundosh mbi ne?!». Kështu, ata e urryen edhe më tepër për shkak të ëndrrave e fjalëve të tij. Jozefi pa edhe një ëndërr tjetër e ua tregoi vëllezërve të vet: «Pashë një ëndërr tjetër. Dielli, hëna e njëmbëdhjetë yje po më përkuleshin me nderim». Kur ia tregoi të atit e vëllezërve, i ati e qortoi e i tha: «Ç'është kjo ëndërr! A po thua që unë, jot ëmë e vëllezërit e tu do u përkulkemi gjer në tokë para teje?!». Vëllezërit e patën zili, kurse i ati e mbajti në mend këtë gjë.
Lexo Zanafilla 37
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 37:1-11
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video