ZOTI Perëndi i tha gjarprit: «Për këtë që bëre, mallkuar qofsh ndër gjithë bagëtitë e kafshët e egra. Mbi bark do të zvarritesh e pluhur do të hash gjithë ditët e jetës tënde. Armiqësi do të shtie mes teje e gruas, mes farës tënde e farës së saj që do të ta shtypë kokën, ndërsa ti do t'i plagosësh thembrën». Gruas i tha: «Shumë dhimbje barre do të të jap e me mundim do t'i lindësh fëmijët. Burrin tënd do ta dëshirosh, por ai do të sundojë mbi ty». Adamit i tha: «Meqë dëgjove gruan e hëngre nga pema që të urdhërova të mos hash, mallkuar qoftë toka për shkakun tënd! Me mund do të hash prej saj gjithë ditët e jetës sate. Gjemba e ferra do të prodhojë për ty e bimët e fushës do të hash. Me djersën e ballit do ta nxjerrësh bukën e gojës derisa të kthehesh në dhe, se prej tij u nxore, pluhur je e në pluhur do të kthehesh». Njeriu e quajti gruan Evë, se ajo ishte nëna e gjithë të gjallëve. ZOTI Perëndi bëri veshje prej lëkure për Adamin e gruan e tij dhe i veshi ata. Pastaj ZOTI Perëndi tha: «Ja, njeriu u bë si një nga ne. Ai njeh të mirën e të keqen. Nëse tani zgjat dorën dhe merr e ha edhe nga pema e jetës, do të jetojë përjetë». Prandaj ZOTI Perëndi e nxori jashtë kopshtit të Edenit që të punojë tokën prej së cilës u mor. E dëboi njeriun dhe në lindje të kopshtit të Edenit vendosi kerubët dhe një shpatë flakëruese që vringëllon për të ruajtur udhën për te pema e jetës.
Lexo Zanafilla 3
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zanafilla 3:14-24
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video