Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 28:1-16

Zanafilla 28:1-16 AL1

Atëherë Isaku e thirri Jakobin, e bekoi dhe e urdhëroi: «Mos merr grua nga bijat e Kanaanit. Ngrihu e shko në Padan Aram, në shtëpinë e Betuelit, atit të nënës tënde. Atje merr grua nga bijat e Labanit, vëllait të nënës tënde. Perëndia i gjithëpushtetshëm të bekoftë, të shumoftë e të shtoftë që të bëhesh shumicë popujsh. Ai të dhëntë, ty e pasardhësve të tu, bekimin e Abrahamit që ta trashëgosh tokën që Perëndia ia dha Abrahamit, ku ti banon si i huaj». Isaku e nisi Jakobin dhe ai shkoi në Padan Aram, te Labani, biri i Betuel Arameasit, të vëllait të Rebekës, të ëmës së Jakobit dhe Esaut. Esau e pa se Isaku e bekoi Jakobin dhe e dërgoi në Padan Aram për të marrë grua prej andej, se e bekoi dhe e urdhëroi të mos merrte grua nga bijat e Kanaanit. Jakobi e dëgjoi të atin dhe të ëmën e shkoi në Padan Aram. Kur Esau pa se Isaku, i ati, i shihte me sy të keq bijat e Kanaanit, shkoi tek Ishmaeli e mori për grua, përveç atyre që kishte, Mahalatën, bijën e Ishmaelit, birit të Abrahamit, motrën e Nebajotit. Jakobi doli nga Bersheba e shkoi në Haran. Arriti në njëfarë vendi e u ndal për të kaluar natën, sepse dielli kishte perënduar. Mori një nga gurët aty pranë, e vuri nën krye e fjeti aty. Dhe pa një ëndërr. Në ëndërr pa një shkallare që qëndronte në tokë, maja e së cilës prekte qiellin. Engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi shkallë. Dhe ja, ZOTI, që qëndronte mbi të, tha: «Unë jam ZOTI, Perëndia i Abrahamit, atit tënd, dhe Perëndia i Isakut. Tokën ku je shtrirë do të ta jap ty e pasardhësve të tu. Ata do të jenë si pluhuri i tokës e ti do të shtrihesh drejt lindjes e perëndimit, drejt veriut e jugut. Të gjitha fiset e tokës do të bekohen në ty e në pasardhësit e tu. Ja, unë jam me ty. Do të të ruaj kudo që të shkosh e do të të kthej në këtë vend, sepse nuk do të heq dorë prej teje pa bërë çfarë të thashë». Atëherë Jakobi u zgjua e tha: «Me të vërtetë ZOTI qenka në këtë vend e unë nuk e dija».