Kur Isaku u plak dhe e lanë sytë aq sa nuk shihte më, thirri Esaun, birin e tij të madh, e i tha: «Biri im!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam». Isaku tha: «Ja, u plaka e nuk e di kur do të vdes. Merr armët, kukurën e harkun e dil për gjah në fushë. Pastaj më përgatit një gjellë ashtu siç e dua unë e ma sill ta ha që të të bekoj para se të vdes».
Por Rebeka e dëgjoi Isakun teksa fliste me të birin, Esaun. Kështu, kur Esau shkoi në fushë për gjah, ajo i tha të birit, Jakobit: «E dëgjova tët atë që foli me Esaun, vëllanë tënd, e i tha: “Më sill pak gjah e më përgatit një gjellë që ta ha e të të bekoj në prani të ZOTIT para se të vdes”. Tani, pra, biri im dëgjo çka po të urdhëroj. Shko në kope e më merr dy keca të mirë që ta përgatis gjellën për tët atë ashtu siç e do ai. Pastaj çoi atit tënd të hajë, që ai të të bekojë para se të vdesë». Jakobi i tha Rebekës, së ëmës: «Esau, im vëlla, është leshtor, ndërsa unë nuk jam i tillë. Ndoshta im atë më prek e dal mashtrues para tij e kështu, në vend të bekimit, do t'i sjell vetes mallkim». E ëma iu përgjigj: «Mallkimi yt rëntë mbi mua, biri im, ti vetëm më dëgjo e shko e merr kecat». Atëherë ai shkoi, i mori e ia solli të ëmës. Ajo e përgatiti gjellën ashtu siç e donte i ati. Pastaj Rebeka mori rrobat më të mira të Esaut, birit të saj të madh, që i kishte në shtëpi, e ia veshi Jakobit, birit të saj të vogël. Duart dhe pjesën e lëmuar të qafës ia mbuloi me lëkurën e kecave. Pastaj ia dha në dorë Jakobit, të birit, gjellën e bukën që kishte përgatitur.
Ky shkoi tek i ati e i tha: «O ati im». Ai iu përgjigj: «Ja ku jam. Kush je ti, biri im?». Jakobi i tha të atit: «Jam unë, Esau, i parëlinduri yt. Bëra siç më the. Ngrihu, pra, e ha nga gjahu im, që të më bekosh». Isaku i tha të birit: «Sa shpejt e kape biri im?!». Ai iu përgjigj: «ZOTI, Perëndia yt, ma nxori përpara». Isaku i tha Jakobit: «Afrohu biri im, që të të prek e ta di nëse je biri im Esau, apo jo». Jakobi iu afrua Isakut, të atit. Ai e preku e tha: «Zëri është i Jakobit, ndërsa duart janë të Esaut». Ai nuk e njohu, sepse duart e tij ishin leshtore si duart e Esaut, të vëllait. Atëherë ai e bekoi. Isaku i tha: «A je ti biri im Esau?». Ai u përgjigj: «Po». Atëherë ai tha: «Ma afro gjellën që të ha nga gjahu i birit tim e të të bekoj». Jakobi i dha për të ngrënë e i solli verë për të pirë. Pastaj Isaku, i ati, i tha: «Afrohu e më puth, biri im». Ai u afrua dhe e puthi. Isaku u mori erë rrobave të tij dhe e bekoi e tha:
«Ja, era e tim biri,
si era e fushës që ZOTI bekoi.
Perëndia të dhëntë
vesën e qiellit e pjellorinë e tokës,
begati drithi e vere.
Popuj të shërbefshin
e kombe u përkulshin para teje.
Bëhu zot i vëllezërve të tu
e para teje u përkulshin bijtë e nënës sate.
Mallkuar qoftë kushdo që të mallkon
e kushdo që të bekon qoftë i bekuar».
Sapo Isaku mbaroi bekimin e pa u larguar mirë Jakobi nga i ati, u kthye nga gjahu Esau, i vëllai. Edhe ky përgatiti gjellën, ia solli të atit e i tha: «Ngrihu, o ati im, e ha nga gjahu i birit tënd, që të më bekosh». I ati i tha: «Kush je ti?». Ai iu përgjigj: «Jam yt bir, i parëlinduri yt, Esau». Atëherë Isaku u trondit tmerrësisht shumë e tha: «Kush ishte ai që zuri gjah e ma solli? Unë i hëngra të gjitha para se të vije ti, e bekova e ai do të mbetet i bekuar». Kur Esau dëgjoi fjalët e të atit, klithi me të madhe e, plot hidhërim, i tha: «Më beko edhe mua, o ati im!». Por ai i tha: «Yt vëlla erdhi me dredhi dhe mori bekimin tënd». Esau tha: «Jo më kot quhet Jakob. Është hera e dytë që më mashtron. Ma mori të drejtën e parëlindjes e, ja, tani më mori edhe bekimin». E shtoi: «A të ka mbetur ndonjë bekim për mua?».