Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 21:8-21

Zanafilla 21:8-21 AL1

Djali u rrit dhe la gjirin e së ëmës. Kështu Abrahami bëri një gosti të madhe ditën kur Isaku la gjirin. Kur Sara pa se biri që Hagara, egjiptiania, i lindi Abrahamit, po qeshej, i tha Abrahamit: «Dëboje këtë skllave me të birin, pasi i biri i saj nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun». Abrahamit i erdhi keq për djalin e tij, Ishmaelin. Por, Perëndia i tha Abrahamit: «Mos të të vijë keq për djalin dhe për skllaven tënde. Dëgjoje Sarën në çdo gjë që thotë, sepse emrin tënd do ta mbajë Isaku. Edhe prej birit të skllaves do të bëj një komb, sepse është fara jote». Atëherë Abrahami u ngrit herët në mëngjes, mori bukë e një kacek me ujë e ia vuri në krahë Hagarës bashkë me djalin dhe i nisi. Ajo u largua e u end në shkretëtirën e Bershebës. Kur mbaroi uji i kacekut e la djalin nën një shkurre, u largua e ndenji larg, sa një e hedhur harku, e tha: «Nuk e shoh dot djalin duke vdekur!». Ajo ndenji përballë tij e qau me dënesë. Perëndia e dëgjoi zërin e djalit dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Hagarën nga qielli e i tha: «Çfarë ke Hagarë? Mos ki frikë, se Perëndia e dëgjoi zërin e djalit prej vendit ku është. Ngrihu, merre djalin e mbaje për dore, sepse prej tij do të bëj një komb të madh». Atëherë Perëndia ia hapi sytë e ajo pa një burim. Shkoi, mbushi kacekun e ujit e i dha për të pirë djalit. Perëndia ishte me djalin. Ai u rrit, banoi në shkretëtirë e u bë harkëtar. Ai banoi në shkretëtirën e Paranit dhe e ëma i gjeti një grua egjiptiane.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë