Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 2:1-17

Zanafilla 2:1-17 AL1

Kështu u kryen qielli, toka e gjithçka që është në to. Ditën e shtatë Perëndia e përfundoi punën që kishte bërë. Ditën e shtatë ai pushoi nga të gjitha punët që kishte bërë. Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë, se atë ditë ai pushoi nga çdo gjë që krijoi e bëri. Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës kur u krijuan. Ditën kur ZOTI Perëndi krijoi tokën e qiellin, asnjë shkurre e fushës nuk kishte mbirë ende mbi tokë dhe asnjë bar i fushës nuk kishte gjelbëruar ende, se ZOTI Perëndi nuk kishte dërguar shi mbi tokë e nuk kishte njeri ta punonte. Megjithatë një burim dilte nga toka dhe ujiste gjithë sipërfaqen e saj. Atëherë ZOTI Perëndi formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe i hukati në vrimat e hundës frymën e jetës. Kështu njeriu u bë qenie e gjallë. ZOTI Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe aty vuri njeriun që kishte formuar. ZOTI Perëndi bëri të mbijnë nga toka pemë tërheqëse nga pamja e të mira nga shija. Në mes të kopshtit vuri pemën e jetës dhe pemën e njohjes të së mirës e të së keqes. Një lumë që buronte nga Edeni, ujiste kopshtin e prej andej ndahej në katër lumenj. I pari quhet Pishon e rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka ar. Ari i këtij vendi është i mirë. Aty ka edhe bdel e gur oniksi. I dyti quhet Gihon e rrethon tërë vendin e Kushit. I treti quhet Tigër e rrjedh në lindje të Asirisë. I katërti quhet Eufrat. ZOTI Perëndi e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit, që ta punonte e ta ruante. ZOTI Perëndi e urdhëroi njeriun e i tha: «Nga çdo pemë e kopshtit ha lirisht, por nga pema e njohjes të së mirës e të së keqes mos ha, sepse ditën që ha prej saj, me të vërtetë do të vdesësh».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë