Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 18:16-33

Zanafilla 18:16-33 AL1

Pastaj ata u ngritën prej aty e panë drejt Sodomës. Abrahami shkoi bashkë me ta për t'i përcjellë. Atëherë ZOTI tha: «A do t'ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë? Abrahami me të vërtetë do të bëhet një komb i madh e i fuqishëm e në të do të bekohen tërë kombet e tokës, sepse unë e zgjodha që t'i urdhërojë bijtë e tij e shtëpinë e tij, pas tij, për të ndjekur udhën e ZOTIT, duke bërë çka është e drejtë e drejtësi, që ZOTI të plotësojë gjithçka që i tha Abrahamit». Kështu, ZOTI tha: «Gjëma e Sodomës dhe e Gomorrës është e madhe e mëkati i tyre është shumë i rëndë. Do të zbres poshtë e të shoh nëse po veprojnë ashtu siç dëgjova. Atëherë, do ta di». Atëherë burrat u kthyen prej andej e shkuan drejt Sodomës, ndërsa Abrahami ende po qëndronte para ZOTIT. Abrahami u afrua e tha: «A do ta zhdukësh, me të vërtetë, të drejtin bashkë me të ligun? Ndoshta qyteti ka pesëdhjetë njerëz të drejtë. Me të vërtetë do ta zhdukësh e nuk do ta falësh për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë aty? Larg qoftë që ta bësh këtë, të vrasësh të drejtin bashkë me të ligun, duke i trajtuar të drejtin e të ligun njësoj. Larg qoftë! Vallë, gjykatësi i gjithë tokës nuk do të tregohet i drejtë?». ZOTI tha: «Nëse gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, për hir të tyre do ta fal tërë vendin». Abrahami iu përgjigj: «Ja, unë që jam pluhur e hi po marr guximin të flas me Zotin tim. Ndoshta, këtyre pesëdhjetë njerëzve të drejtë u mungojnë pesë njerëz. A do ta shkatërrosh tërë qytetin për shkak të këtyre të pestëve?». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj, nëse atje gjej dyzet e pesë». Abrahami i tha përsëri: «Ndoshta do të gjenden vetëm dyzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dyzetëve». Pastaj, Abrahami i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them: ndoshta atje do të gjenden vetëm tridhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj nëse gjej tridhjetë». Abrahami i tha: «Ja, po marr guximin të flas përsëri me Zotin tim: ndoshta, atje do të gjenden vetëm njëzet». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve». Atëherë ai i tha: «Nuk zemërohet Zoti im nëse them për herë të fundit: ndoshta atje do të gjenden vetëm dhjetë». Ai i tha: «Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve». Kur ZOTI mbaroi së foluri me Abrahamin, u largua dhe Abrahami u kthye në vendin e tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë