ZOTI iu shfaq Abrahamit te lisat e Mamreut, në zhegun e ditës, kur ai po rrinte në të hyrë të tendës. Abrahami ngriti sytë dhe, ja, pa tre burra që po qëndronin para tij. Si i pa, vrapoi nga hyrja e tendës që t'i takonte, u përkul me nderim përtokë, e tha: «O Zoti im, nëse kam gjetur hir para teje, mos kalo pa u ndalur te shërbëtori yt. Do t'ju sjellin pak ujë që të lani këmbët e të pushoni nën pemë. Unë po ju sjell një kafshatë bukë që të merrni veten, meqë kaluat nga shërbëtori juaj. Pastaj vazhdoni rrugën». Ata iu përgjigjën: «Bëj, pra, siç the». Abrahami nxitoi drejt tendës te Sara e i tha: «Shpejt, gatuaj tre masa majë mielli e bëj kuleç!». Ai vetë vrapoi drejt kopesë, mori një viç të njomë e të mirë e ia dha shërbëtorit që e përgatiti me të shpejtë. Pastaj mori mazë, qumësht e viçin që ishte përgatitur e ua shtroi përpara. Dhe ai qëndroi në këmbë, ndërsa ata hanin nën pemë.
Atëherë ata e pyetën: «Ku është Sara, gruaja jote?». Ai u përgjigj: «Aty, në tendë!». Njëri prej të tyre i tha: «Me të vërtetë, do të vij te ti pas një viti, e Sara, gruaja jote, do të bëhet me djalë». Sara po dëgjonte në të hyrë të tendës që ishte mbrapa tij. Abrahami e Sara ishin të moshuar dhe Sarës i ishin ndalur të përmuajshmet e grave. Kështu, Sara qeshi me vete e tha: «Tani që jam vyshkur e zotëria im është plak, a thua do të kem ende dëshirë?!». ZOTI i tha Abrahamit: «Përse qeshi Sara e tha: “Me të vërtetë do të lind tani që u plaka?”. A ka gjë të pamundur për ZOTIN? Si sot një vit, do të kthehem te ti dhe Sara do të jetë bërë me djalë». Por Sara e mohoi nga frika e tha: «Jo, nuk qesha». Por ai i tha: «Po, po, qeshe!».