Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 16:1-16

Zanafilla 16:1-16 AL1

Saraja, gruaja e Abramit, nuk i kishte dhënë fëmijë. Ajo kishte një skllave egjiptiane që quhej Hagarë. Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ja, ZOTI më ka bërë beronjë. Fli me skllaven time e ndoshta prej saj do të kem fëmijë». Abrami ia dëgjoi fjalën Sarajës. Dhjetë vjet pasi Abrami banoi në tokën e Kanaanit, Saraja, gruaja e Abramit, mori Hagarën, skllaven e saj egjiptiane e ia dha për grua Abramit, burrit të saj. Ai fjeti me Hagarën e ajo mbeti shtatzënë. Kur pa se kishte mbetur shtatzënë, ajo filloi ta shpërfillte zonjën e saj. Atëherë Saraja i tha Abramit: «Ti je përgjegjës për këtë fyerje. Isha unë ajo që ta lëshova në krahët e tu skllaven time e kur ajo pa që mbeti shtatzënë filloi të më shpërfillë. ZOTI gjykoftë mes meje e teje!». Por Abrami i tha Sarajës: «Ja ku e ke skllaven tënde. Bëj me të si të duash». Atëherë Saraja u soll ashpër me Hagarën e ajo iku prej saj. Engjëlli i ZOTIT e gjeti Hagarën pranë një burimi në shkretëtirë, te burimi udhës për në Shur. Ai i tha: «Hagarë, skllavja e Sarajës, nga po vjen e ku po shkon?». Ajo u përgjigj: «Po largohem nga zonja ime, Saraja». Engjëlli i ZOTIT i tha: «Kthehu te zonja jote e nënshtroju asaj». E i tha: «Do t'i shumoj pasardhësit e tu aq shumë saqë nuk do të mund të numërohen». Engjëlli i ZOTIT i tha: «Ja, ti je shtatzënë, do të lindësh djalë e do ta quash Ishmael, se ZOTI e dëgjoi vuajtjen tënde. Ai do te jetë si gomar i egër mes njerëzve. Dora e tij do të jetë kundër të gjithëve e dora e të gjithëve kundër tij. E do të jetojë në kundërshti me vëllezërit e tij». Atëherë ajo thirri emrin e ZOTIT, që i foli, e tha: «Ti je Perëndia që këqyr, se këtu pashë me të vërtetë atë që këqyr». Prandaj edhe burimi quhet Ber Lahaj Roi e ndodhet mes Kadeshit e Beredit. Hagara i lindi Abramit një djalë dhe Abrami e quajti, djalin e lindur nga Hagara, Ishmael. Abrami ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç kur Hagara i lindi Ishmaelin.