Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 15:1-21

Zanafilla 15:1-21 AL1

Pas këtyre ngjarjeve, fjala e ZOTIT iu drejtua Abramit në një vegim: «Abram, mos ki frikë. Unë jam mburoja jote. Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh!». Abrami tha: «O ZOT, Zoti im, çfarë do të më japësh kur jam pa fëmijë e trashëgimtari i shtëpisë sime do të jetë Eliezeri i Damaskut?». Pastaj tha: «Ti nuk më ke dhënë pasardhës dhe, ja, një shërbëtor do të jetë trashëgimtari im». Dhe, ja, fjala e ZOTIT iu drejtua: «Trashëgimtari yt nuk do të jetë ky, por ai që do të dalë prej trupit tënd, ai do të jetë trashëgimtari yt». Pastaj e nxori jashtë e i tha: «Shiko qiellin e numëroji yjet, po munde! Kaq të shumtë do të jenë trashëgimtarët e tu». Abrami besoi në ZOTIN e ZOTI ia numëroi për drejtësi. Ai i tha: «Unë jam ZOTI që të nxori nga Uri i kaldenjve për të të dhënë si trashëgimi këtë tokë». Abrami iu përgjigj: «O ZOT, Zoti im, nga do ta di unë se do ta trashëgoj?». Ai i tha: «Më sill një mëshqerrë tri vjeçe, një dhi e një dash tre vjeç, një turtull e një pëllumb të ri». Abrami ia solli të gjitha këto. I preu më dysh dhe i vuri gjysmat përballë njëra-tjetrës, por zogjtë nuk i preu. Disa shpendë grabitqarë u lëshuan mbi to, por Abrami i dëboi. Në të perënduar, Abramin e kapi një gjumë i thellë dhe, ja, e pllakosi një frikë e errët dhe e madhe. Dhe ZOTI i tha Abramit: «Dije mirë se pasardhësit e tu do të banojnë në vend të huaj e do të jenë skllevër e të shtypur për katërqind vjet. Por unë do ta gjykoj kombin, të cilit do t'i shërbejnë e pas kësaj do të dalin me pasuri të mëdha. Ndërsa ti do të bashkohesh me etërit e tu në paqe e do të varrosesh pas një pleqërie të mbarë. Në brezninë e katërt, pasardhësit e tu do të kthehen këtu pasi ligësia e amoritëve nuk e ka arritur ende kulmin». Kur perëndoi dielli, u bë errësirë dhe, ja, u duk një mangall me tym e një pishtar zjarri, i cili përshkoi gjysmat e prera. Atë ditë ZOTI lidhi një besëlidhje me Abramin e tha: «Pasardhësve të tu po ua jap këtë tokë, nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, Eufratin, tokën e kenitëve, e kenizitëve, e kadmonitëve, e hititëve, e perizitëve, e refaitëve, e amoritëve, e kananitëve, e girgashitëve, e jebusitëve».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë