Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Galatasve 4:12-26

Galatasve 4:12-26 AL1

Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam bërë si ju. Ju nuk më keni bërë asnjë të keqe. Ju e dini se herën e parë, që ju predikova ungjillin, lëngoja në trup. Megjithëse lëngata ime në trup ishte sprovë për ju, ju nuk më përbuzët, as nuk më patët neveri, por më pranuat si engjëllin e Perëndisë, si Krishtin Jezu. Ku shkoi gëzimi juaj? Unë dëshmoj se, po të kishte qenë e mundur, ju do t'i kishit nxjerrë edhe sytë tuaj për të m'i dhënë mua. Tani qenkam bërë armiku juaj pse po ju them të vërtetën? Ata tregohen të zellshëm me ju, por jo për mirë, madje dëshirojnë t'ju shkëpusin, që pastaj ju të jeni të zellshëm me ta. Është mirë që të jeni gjithmonë të zellshëm për të mirën e jo vetëm kur jam unë me ju. Bijtë e mi, unë po kaloj për ju të njëjtat dhimbje si gruaja gjatë lindjes, derisa Krishti të marrë trajtë në ju. Do të doja të isha pranë jush tani e të flisja ndryshe, se nuk di ç'të bëj më me ju. Më thoni ju, që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin? Shkrimi thotë se Abrahami pati dy bij, një prej skllaves e një prej të lirës. Biri i skllaves lindi prej mishit, ndërsa biri i së lirës përmes premtimit të Perëndisë. Këto gjëra kanë tjetër kuptim. Dy gratë janë dy besëlidhje. Njëra, ajo prej malit Sinai që lind për skllavërim, është Hagara. Hagara, domethënë mali i Sinait në Arabi, përkon me Jerusalemin e sotëm, që është në skllavëri bashkë me bijtë e vet. Ndërsa gruaja e lirë përfaqëson Jerusalemin qiellor dhe është nëna jonë.