Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Galatasve 2:11-21

Galatasve 2:11-21 AL1

Por, kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova më sy, sepse ishte për t'u qortuar. Para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, Pjetri hante bashkë me besimtarë nga kombet, ndërsa, kur erdhën ata, u tërhoq e u nda veçmas prej frikës nga besimtarët e rrethprerë. Edhe judenjtë e tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u gënjye nga hipokrizia e tyre. Kur pashë se ata nuk jetonin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit para të gjithëve: «Nëse ti, që je jude, sillesh si kombet e jo si jude, si mund t'i detyrosh besimtarët nga kombet të sillen si judenj?». Ne vetë, që jemi lindur judenj dhe nuk jemi nga kombet mëkatare, e dimë se njeriu nuk bëhet i drejtë nga veprat që kërkon ligji, por vetëm përmes besimit në Jezu Krishtin. Prandaj edhe besuam në Krishtin Jezu, që të bëhemi të drejtë nga besimi në Krishtin e jo nga veprat që kërkon ligji, sepse askush nuk do të bëhet i drejtë nga veprat e ligjit. Nëse ne, që kërkojmë të bëhemi të drejtë përmes Krishtit, del se jemi mëkatarë si të tjerët, mos vallë Krishti i shërben mëkatit? Larg qoftë! Po të ndërtoja sërish këto gjëra, që i rrëzova, unë do të isha bërë vetë shkelës i ligjit. Kështu, përmes ligjit jam i vdekur për ligjin, që të jetoj për Perëndinë. Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua. Këtë jetë, që tani jetoj në trup njerëzor, e jetoj me besim në Birin e Perëndisë, i cili më deshi e dha veten për mua. Unë nuk e mohoj hirin e Perëndisë, sepse, në u bëka i drejtë njeriu përmes ligjit, atëherë Krishti paska vdekur më kot.