Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezra 1:1-11

Ezra 1:1-11 AL1

Në vitin e parë të mbretërimit të Kirit, mbretit të Persisë, për të përmbushur atë që kishte thënë përmes Jeremisë, ZOTI e nxiti shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, të shpallte në mbarë mbretërinë e tij këtë vendim të shkruar: «Kështu thotë Kiri, mbreti i Persisë: ZOTI, Perëndia i qiellit, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe më ka urdhëruar të ndërtoj për të një tempull në Jerusalem të Judës. Kush nga ju i përket popullit të tij, ZOTI, Perëndia i tij qoftë me të! Le të kthehet në Jerusalem të Judës dhe të ndërtojë tempullin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, Perëndisë që është në Jerusalem. Të gjithë ata që kanë mbetur gjallë prej këtij populli, kudo qofshin, le të ndihmohen nga njerëzit e vendeve, ku ata banojnë, me ar e me argjend, me pasuri, me bagëti e me dhurata, për të ndërtuar tempullin e Perëndisë në Jerusalem». Atëherë krerët e vëllazërive të Judës e të Benjaminit, priftërinjtë e levitët, si dhe të gjithë ata që Perëndia i kishte frymëzuar në shpirt, u ngritën e u nisën për të ndërtuar tempullin e ZOTIT në Jerusalem. Të gjithë fqinjët i ndihmuan me sende argjendi, me ar, me pasuri, me bagëti e me gjëra të çmuara, bashkë me të gjitha dhuratat vullnetare. Edhe mbreti Kir nxori të gjitha enët e tempullit të ZOTIT që Nabukodonosori kishte marrë prej Jerusalemit e i kishte vënë në tempullin e perëndisë së vet. Kiri, mbreti i Persisë, ia dorëzoi ato Mitredatit, thesarmbajtësit, e ky ia dha me numër Sheshbacarit, princit të Judës. Ja numri i tyre: tridhjetë legenë ari, një mijë legenë argjendi, njëzet e nëntë thika, tridhjetë kupa ari, katërqind e dhjetë kupa argjendi dhe një mijë enë të tjera. Tërë enët prej ari e prej argjendi ishin pesë mijë e katërqind. Të gjitha këto Sheshbacari i mori me vete, kur të mërguarit u kthyen nga Babilonia në Jerusalem.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë