Në vitin e shtatë, në muajin e pestë, më dhjetë të atij muaji, disa burra prej pleqve të Izraelit erdhën për të pyetur ZOTIN dhe u ulën kundruall meje. Atëherë fjala e ZOTIT m'u drejtua e më tha: «Bir i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit e thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: a për të më pyetur mua keni ardhur? Pasha jetën time, nuk do të pyetem prej jush, kumton Zoti im, ZOTI. A do t'i gjykosh ti, o bir i njeriut, a do t'i gjykosh ti? Le t'i marrin vesh pështirësitë e etërve të vet. Thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: kur e zgjodha Izraelin, ngrita dorën dhe iu betova farës së shtëpisë së Jakobit. U bëra i njohur për ta në vendin e Egjiptit. Iu betova e thashë: “Unë jam ZOTI, Perëndia juaj”. Atëherë ngrita dorën dhe u betova se do t'i nxirrja nga toka e Egjiptit drejt tokës që kisha zgjedhur për ta, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. Dhe u thashë: le t'i flakë secili ndyrësitë që mban parasysh e mos u përdhosni me idhujt e Egjiptit. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Por ata ngritën krye kundër meje e nuk deshën të dëgjonin. Asnjëri prej tyre nuk i flaku ndyrësitë që mbanin para syve e nuk i braktisën idhujt e Egjiptit. Atëherë thashë: do të zbraz mbi ta zemërimin tim e do ta shteroj hidhërimin tim kundër tyre në mes të dheut të Egjiptit. Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, mes të cilëve gjendeshin, meqenëse unë isha bërë i njohur para syve të tyre, duke i nxjerrë prej dheut të Egjiptit. Atëherë, i nxora nga dheu i Egjiptit e i çova në shkretëtirë. Pastaj u dhashë rregullat e mia dhe i njoha me vendimet e mia, që njerëzit t'i zbatonin e të jetonin falë tyre. U dhashë edhe të shtunat e mia, si shenjë mes meje e tyre, që ta merrnin vesh se unë, ZOTI, i kisha shenjtëruar. Por shtëpia e Izraelit ngriti krye kundër meje në shkretëtirë. Nuk ndoqën rregullat e mia dhe i hodhën poshtë vendimet e mia që njeriu duhet t'i mbajë për të jetuar. Edhe të shtunat e mia i përdhosën fare. Atëherë thashë: do ta zbraz mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë e do t'i zhbij. Megjithatë, veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. Dhe në shkretëtirë e ngrita dorën e u betova se nuk do t'i çoja në tokën që u kisha dhënë, ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo është më e bukur se të gjitha tokat. Shkaku ishte se i kishin përbuzur vendimet e mia, nuk i kishin ndjekur rregullat e mia dhe i kishin përdhosur të shtunat e mia, se zemra e tyre rendte pas idhujve. Por syri im pati mëshirë për ta dhe unë nuk i shkatërrova e nuk i shfarosa në shkretëtirë.
Atëherë u thashë fëmijëve të tyre në shkretëtirë: mos u sillni sipas rregullave të etërve tuaj, mos i zbatoni vendimet e tyre e mos u ndyni me idhujt e tyre. Unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Ndiqni rregullat e mia, mbajini e zbatojini vendimet e mia. Shenjtërojini të shtunat e mia dhe le të jenë si shenjë mes meje e jush, që të bëhet e ditur se unë jam ZOTI, Perëndia juaj. Por bijtë ngritën krye kundër meje, nuk i ndoqën rregullat e mia, nuk i ruajtën e nuk i zbatuan vendimet e mia, që, njeriu që i zbaton, të jetojë falë tyre. Ata e përdhosën të shtunën, prandaj thashë se do ta zbrazja kundër tyre zemërimin tim e do ta shteroja hidhërimin tim ndaj tyre në shkretëtirë. Por e mbajta dorën dhe veprova për hir të emrit tim, që të mos përdhosej në sytë e kombeve, se para syve të tyre i kisha nxjerrë. Përsëri ngrita dorën në shkretëtirë dhe u betova se do t'i shpërndaja ndër kombe e do t'i përhapja nëpër vende të ndryshme, se nuk kishin zbatuar vendimet e mia dhe kishin flakur rregullat e mia, kishin përdhosur të shtunat e mia dhe i kishin kthyer sytë drejt idhujve të etërve të tyre.
Dhe, sërish, unë u dhashë rregulla jo të mira e vendime me të cilat nuk mund të jetonin. I bëra të ndyheshin me kushtimet e veta, me flijimin e të parëlindurve, që t'i tmerroja e ta merrnin vesh se unë jam ZOTI.
Prandaj, foli shtëpisë së Izraelit, o bir i njeriut, e thuaju se kështu thotë Zoti im, ZOTI: përsëri më fyen etërit tuaj, duke u sjellë me pabesi ndaj meje. Unë i pata sjellë në tokën që isha betuar t'ua jepja, por sapo shihnin ndonjë kodër të lartë apo ndonjë pemë gjethore, aty i kushtonin flitë e tyre, aty i paraqisnin kushtimet ngasëse, aty i vendosnin erërat e këndshme e aty i derdhnin flitë e stërpikjes. Unë u thashë: çfarë është kjo lartësi, tek e cila shkoni? Kështu i mbeti emri lartësi deri më sot.
Prandaj, thuaji shtëpisë së Izraelit se kështu thotë Zoti im, ZOTI: ju po ndyheni sipas mënyrës së etërve tuaj, po kurvëroni me pështirësitë e tyre. Kur kushtoni dhuratat tuaja dhe i shkoni në zjarr bijtë tuaj, ndyheni me idhujt tuaj gjer më sot. A do t'i pranoj pyetjet tuaja, o shtëpia e Izraelit? Pasha jetën time, kumton Zoti im, ZOTI, nuk do t'i pranoj pyetjet tuaja. Çfarë ju do shpirti, nuk do të ndodhë, edhe pse ju thoni: do të jemi si kombet, si fiset e vendeve të tjera, që i falen drurit e gurit.