Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 6:1-13

Dalja 6:1-13 AL1

ZOTI i tha Moisiut: «Tani do të shohësh se çfarë do t'i bëj faraonit. Për shkak të dorës sime të fuqishme ai do ta lërë popullin të shkojë e do ta dëbojë nga toka e tij». Perëndia i tha Moisiut: «Unë jam ZOTI. Abrahamit, Isakut e Jakobit iu dëftova si Perëndia i gjithëpushtetshëm, por emrin tim ZOT nuk ua tregova. Unë bëra edhe një besëlidhje me ta që t'u jepja tokën e Kanaanit, tokën në të cilën banuan si të huaj. E kam dëgjuar rënkimin e izraelitëve që po shtypen nga egjiptianët dhe u kujtova për besëlidhjen time. Prandaj thuaju izraelitëve: unë, ZOTI, do t'ju nxjerr nga zgjedha e Egjiptit, do t'ju çliroj nga skllavëria e tyre dhe do t'ju shpëtoj duke i goditur me krah të fuqishëm e me gjykime të rënda. Do t'ju marr për popullin tim dhe do të jem Perëndia juaj. Atëherë do ta dini se unë jam ZOTI, Perëndia juaj, që ju nxori nga zgjedha e Egjiptit. Do t'ju çoj në tokën që u betova për t'ia dhënë Abrahamit, Isakut e Jakobit dhe unë, ZOTI, do t'jua jap për pronë». Kështu u tha Moisiu izraelitëve, por ata nuk e dëgjuan se ishin ligështuar nga puna e rëndë. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Shko e fol me faraonin, mbretin e Egjiptit, që t'i lërë izraelitët të ikin nga toka e tij». Moisiu iu përgjigj: «Shiko, unë nuk jam i gojës. Si do të më dëgjuaka faraoni kur nuk më dëgjuan as vetë izraelitët?». Por ZOTI i foli Moisiut e Aronit dhe i urdhëroi izraelitët e faraonin, mbretin e Egjiptit, që izraelitët të dilnin nga toka e Egjiptit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë