Rrobat për të shërbyer në shenjtërore u endën me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Rrobat e shenjta të Aronit u bënë siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun. Efodi u bë me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Pllakat e arit i farkëtuan hollë dhe i prenë në shirita që t'i thurnin me mjeshtëri me pëlhurën e lirit dhe me fijet ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Pastaj bënë dy suporet dhe i lidhën në të dyja anët e efodit. Rripi mbi efod u punua nga e njëjta copë dhe me të njëjtat materiale si efodi. Ai u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur, ashtu siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun.
Pastaj punuan gurët e oniksit. I përshkuan me filigran të artë dhe i gdhendën me emrat e bijve të Izraelit. I vendosën mbi suporet e efodit, siç ZOTI e urdhëroi Moisiun, që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit.
Pastaj qëndisi parzmoren me mjeshtëri siç qëndisi dhe efodin. Ajo u punua me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Parzmoren e palosën më dysh dhe e bënë katrore, një pëllëmbë të gjatë e një pëllëmbë të gjerë. Në të vunë katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vunë rubin, topaz dhe smerald. Në radhën e dytë vunë granat, safir dhe diamant. Në radhën e tretë vunë hiacint, kalcedon dhe ametist. Në radhën e katërt vunë topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar u përshkuan me filigran të artë. Gjithsej ishin dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi u gdhend mbi çdo gurë. Parzmores i bënë varëse të gërshetuara prej ari të pastër. Pastaj bënë dy filigranë e dy rrathë të artë. Rrathët i vunë në të dyja anët e parzmores dhe në to mbërthyen të dyja varëset e arta. Dy anët e tjera të varëseve i mbërthyen te dy filigranët dhe i lidhën me suporet e efodit me krah përpara. Bënë dy rrathë të artë dhe i vendosën në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. Bënë edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe i vendosën përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. Pastaj i lidhën rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë që parzmorja të ishte sipër rripit dhe të mos lëvizte prej efodit. Ato u bënë siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun.
Petku poshtë efodit u end i tëri me pëlhurë ngjyrë vjollcë. Në mes të saj u hap një grykë porsi jakë. Ajo u qep përreth me një buzë që të mos grisej. Në fund të petkut punuan shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur e të dredhur. Pastaj bënë këmbanëza me ar të pastër dhe i varën rreth e qark fundit të petkut, ndërmjet shegëve. Ato u varën me radhë ashtu siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun, një këmbanëz e një shegë rreth e qark fundit të petkut që përdorej për shërbesë.
Pastaj punuan për Aronin e bijtë e tij tunikat prej liri, kësulën dhe kësulëzat prej liri, mbathjet e linjta të tjerrë hollë dhe brezin prej liri të tjerrë hollë që u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Ato u bënë ashtu siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun.
Pastaj bënë pllakëzën e kurorës së shenjtë me ar të pastër dhe në të gdhendën: «I shenjti i ZOTIT». E lidhën mbi kësulë me një shirit ngjyrë vjollcë ashtu siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun.