Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 36:20-38

Dalja 36:20-38 AL1

Pastaj bënë dërrasat e tendës me dru akacieje dhe i ngulën drejt. Çdo dërrasë ishte dhjetë kute e gjatë dhe një kut e gjysmë e gjerë. Dërrasat kishin nga dy kunja që të mbërtheheshin me njëra-tjetrën. Kështu u punuan tërë dërrasat e tendës. Njëzet u vunë në krahun jugor. Dyzet baza argjendi u punuan që të viheshin poshtë këtyre njëzet dërrasave. Dy baza për çdo dërrasë, një bazë për çdo kunj. Edhe në krahun tjetër të tendës, atë të veriut, u vunë njëzet dërrasa dhe dyzet baza argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Ndërsa në krahun e pasmë, atë të perëndimit, vunë gjashtë dërrasa. Pastaj bënë dy dërrasa për këndet e krahut të pasmë të tendës. Ato ishin të ndara poshtë, por të bashkuara sipër me një rreth. Kështu u bë me dërrasat e të dyja këndeve. Gjithsej ishin tetë dërrasa dhe gjashtëmbëdhjetë baza prej argjendi, pra dy baza për çdo dërrasë. Pastaj bënë traversa me dru akacieje: pesë traversa për dërrasat e njërit krah të tendës, pesë traversa për dërrasat a krahut tjetër dhe pesë traversa për dërrasat e krahut të pasmë, atë të perëndimit. Traversa e mesit, ajo që është në mes të dërrasave, ishte e gjatë nga cepi në cep. Dërrasat e traversat u praruan dhe u bënë rrathë të artë për të mbajtur traversat. Pastaj bënë një vel prej liri të tjerrë hollë. Veli u punua me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt, të kuqe të ndezur dhe u qëndis mjeshtërisht me kerubë. Për velin bënë katër shtylla me dru akacieje. Shtyllat u praruan dhe vunë grremça të artë. Pastaj shkrinë katër baza të argjendta për to. Në hyrje të tendës bënë një perde prej liri të tjerrë hollë. Ajo u qëndis me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt dhe të kuqe të ndezur. Për perden bënë pesë shtylla me grremça. Kokat e shtyllave e shtizat i praruan, ndërsa bazat i bënë bronzi.