Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 32:1-18

Dalja 32:1-18 AL1

Kur populli pa se Moisiu po vonohej të zbriste nga mali, u mblodh rreth Aronit e i tha: «Ngrihu e na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit, nuk dimë ç'u bë me të!». Aroni iu përgjigj: «Hiquani vathët e artë grave, bijve dhe bijave dhe m'i sillni mua». Atëherë tërë populli hoqi vathët e artë dhe ia solli Aronit. Ky ua mori dhe i punoi me daltë. Bëri një viç të metaltë e u tha: «Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit». Aroni e pa, i ndërtoi një altar dhe thirri: «Nesër do të kremtojmë për nder të ZOTIT». Të nesërmen, u ngritën herët dhe kushtuan fli shkrumbimi e paqtimi. Populli u ul për të ngrënë e për të pirë dhe pastaj u ngrit për t'u dëfryer. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Zbrit poshtë, se populli yt, që e nxore nga dheu i Egjiptit, u shthur. Shpejt e lanë udhën që i urdhërova të ndiqnin. Bënë për vete një viç të metaltë. E adhurojnë, i flijojnë fli e thonë: “Këta janë perënditë e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit”». ZOTI vijoi: «E kam parë që ky është një popull kokëfortë. Tani më lër! Do të ndizem me zemërim e do t'i shuaj. Ty do të të bëj një komb të madh». Por Moisiu ia zbuti zemërimin ZOTIT, Perëndisë së tij, duke i thënë: «Përse, o ZOT, ndizet zemërimi yt kundër popullit tënd që e nxore nga dheu i Egjiptit me forcë të madhe e me dorë të fuqishme? Përse të thonë egjiptianët: “I nxori me dredhi për t'i vrarë nëpër male e për t'i shuar nga faqja e dheut”? Zmbrapse zemërimin e hiq dorë nga e keqja që do t'i bësh popullit tënd. Kujto Abrahamin, Isakun e Izraelin, shërbëtorët e tu, të cilëve iu betove për veten tënde e u the: “Do t'i shumoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë për të cilën ju fola, do t'ua jap pasardhësve tuaj. Ajo do të jetë përgjithmonë e tyrja”». Atëherë ZOTI hoqi dorë nga e keqja që kishte thënë se do t'i bënte popullit të tij. Pastaj Moisiu u kthye e zbriti nga mali dhe mbante në dorë dy rrasat e dëshmisë të shkruara nga të dyja anët. Rrasat ishin vepër e Perëndisë. Edhe shkrimi i gdhendur në rrasa ishte i tiji. Kur dëgjoi zhurmën e popullit që bërtiste, Jozuehu i tha Moisiut: «Britma lufte po dëgjohen në fushim». Por Moisiu i tha: «Nuk është këngë kreshnikësh, as këngë vaji nuk është. Por këngë feste po dëgjoj».