Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 3:10-21

Dalja 3:10-21 AL1

Tani, eja të të dërgoj te faraoni që të nxjerrësh Izraelin, popullin tim, nga Egjipti». Moisiu i tha: «Kush jam unë që të shkoj te faraoni e të nxjerr izraelitët nga Egjipti?!». Por Perëndia i tha: «Unë jam me ty. Ja shenja se jam unë ai që të ka dërguar: kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, do t'i shërbeni Perëndisë në këtë mal». Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: «Nëse shkoj te izraelitët e u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju” e ata më thonë: “Si e ka emrin?”, çfarë t'u them?». Perëndia i tha Moisiut: «UNë JAM AI Që UNë JAM!». Dhe shtoi: «Kështu thuaju izraelitëve: “UNë JAM më ka dërguar te ju”». Perëndia i tha përsëri Moisiut: «Kështu thuaju izraelitëve: “ZOTI, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut, Perëndia i Jakobit më ka dërguar te ju”. Ky është emri im përjetë dhe kështu do të kujtohem brez pas brezi. Shko, mblidh pleqtë e Izraelit e thuaju: “ZOTI, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut e i Jakobit m'u shfaq. Ai më tha: e kam parë mirë çfarë po ju ndodh në Egjipt dhe vendosa t'ju nxjerr nga mjerimi i Egjiptit e do t'ju çoj në tokën e kananitëve, e hititëve, e amoritëve, e perizitëve, e hivitëve, e jebusitëve, në tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”. Ata do ta dëgjojnë fjalën tënde dhe ti bashkë me pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit e do t'i thoni: “ZOTI, Perëndia i hebrenjve, na u dëftua. Tani, na lër të shkojmë e të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t'i kushtojmë fli ZOTIT, Perëndisë tonë”. Por unë e di se mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni nëse nuk detyrohet nga një dorë e fuqishme. Prandaj do ta shtrij dorën e do ta godas Egjiptin me gjithë mrekullitë që do të bëj atje. Atëherë faraoni do t'ju lërë të shkoni. Do t'i bëj egjiptianët t'ju shohin me sy të mirë që kur të shkoni, të mos shkoni duarbosh.