Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 3:1-12

Dalja 3:1-12 AL1

Moisiu po kulloste dhentë e të vjehrrit, Jetrit, priftit të Midianit, dhe i çoi dhentë përtej shkretëtirës. Ai mbërriti në Horeb, në malin e Perëndisë. Engjëlli i ZOTIT iu shfaq në flakën e zjarrit, në mes të shkurres. Moisiu vështroi dhe, ja, shkurrja kishte marrë flakë, por nuk po digjej. Atëherë Moisiu tha: «Po kthehem që të shoh këtë pamje të çuditshme. Përse nuk digjet shkurrja?!». Kur pa se Moisiu u kthye për të parë, ZOTI e thirri nga mesi i shkurres e i tha: «Moisi, Moisi!». Ai u përgjigj: «Ja ku jam!». Zoti tha: «Mos u afro këtu! Zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë». Dhe shtoi: «Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit». Atëherë Moisiu mbuloi fytyrën, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë. Pastaj ZOTI i tha: «E kam parë mirë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe i kam dëgjuar klithmat e tyre për shkak të mbikëqyrësve. Ua njoh vuajtjet, prandaj dhe kam zbritur për t'i çliruar nga dora e Egjiptit dhe për t'i nxjerrë nga ky vend në një vend të mirë e të hapur, në një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ky është vendi i kananitëve, i hititëve, i amoritëve, i perizitëve, i hivitëve dhe i jebusitëve. Kështu, klithma e izraelitëve mbërriti tek unë, madje edhe unë e kam parë sesi shtypen nga egjiptianët. Tani, eja të të dërgoj te faraoni që të nxjerrësh Izraelin, popullin tim, nga Egjipti». Moisiu i tha: «Kush jam unë që të shkoj te faraoni e të nxjerr izraelitët nga Egjipti?!». Por Perëndia i tha: «Unë jam me ty. Ja shenja se jam unë ai që të ka dërguar: kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, do t'i shërbeni Perëndisë në këtë mal».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Dalja 3:1-12

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë