Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 18:14-24

Dalja 18:14-24 AL1

Kur Jetri pa gjithçka që Moisiu bënte për popullin, i tha: «Çfarë po i bën kështu popullit? Përse ulesh e gjykon i vetëm, ndërkohë që tërë populli qëndron para teje nga mëngjesi deri në mbrëmje?». Moisiu iu përgjigj të vjehrrit: «Se populli vjen tek unë për të marrë këshilla prej Perëndisë. Kur ka mosmarrëveshje, ata vijnë tek unë që t'i gjykoj dhe t'u mësoj rregullat dhe ligjet e Perëndisë». Por i vjehrri i tha: «Nuk e ke mirë punën! Do të rraskapitesh si ti, ashtu edhe populli. Kjo punë është tepër e rëndë për ty. Nuk e bën dot vetëm. Më dëgjo! Unë po të këshilloj kështu dhe Perëndia e bëftë mbarë: ti përfaqëso popullin para Perëndisë dhe paraqiti çështjet para tij. Mësoju rregullat dhe ligjet. Bëju të ditur udhën, në të cilën duhet të ecin dhe veprat që duhet të bëjnë. Por, zgjidh nga populli disa njerëz të aftë, që e druajnë Perëndinë, njerëz të besuar dhe që e urrejnë përfitimin e padrejtë. Vendosi në krye të popullit si prijës të një mijë, të njëqind, të pesëdhjetë dhe të dhjetë vetëve. Ata ta gjykojnë popullin në çdo kohë. Çështjet e rënda t'i paraqesin ty, ndërsa ato të rëndomtat t'i gjykojnë vetë. Kështu, barra do të të lehtësohet, se do ta ndash me të tjerë. Nëse vepron kështu dhe Perëndia e miraton, atëherë do t'i bësh ballë punës dhe gjithë ky popull do të kthehet në shtëpi i kënaqur». Moisiu e dëgjoi fjalën e të vjehrrit dhe bëri siç i tha ai.