Atëherë Moisiu e izraelitët kënduan këtë këngë për nder të ZOTIT:
«Këndojini ZOTIT
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca.
ZOTI është forca ime dhe kënga ime.
Ai është shpëtimi im.
Është Perëndia im,
atë do të lavdëroj,
Perëndia i atit tim,
atë do të lartësoj.
ZOTI është i fortë në luftë,
ZOT është emri i tij.
Karrocat dhe ushtrinë e faraonit
i vërviti në det.
Të përzgjedhurit e tij,
u mbytën në detin e Kuq.
Ujërat i mbuluan,
si gurë u fundosën.
E djathta jote, o ZOT,
fuqi madhështore.
E djathta jote, o ZOT,
e dërrmon armikun.
Me madhështinë tënde
i rrëzon kundërshtarët.
Zemërimin e lëshon,
që si byku t'i përpijë.
Nga turfullimi yt,
ujërat u bënë pirg,
si mure u ngritën lart
e ngrinë thellë në det.
Armiku thoshte:
“Do t'i ndjek,
do t'i zë,
e prenë do ta ndaj.
Do të më ngopet shpirti.
Shpatën do ta nxjerr
e në dorë do t'i shtie”.
Ti i fryve erës
e deti i mbuloi.
E ata ranë si plumb,
në ujërat e tërbuara.
O ZOT, kush është si ti
mes perëndive?
Kush është si ti,
madhështor në shenjtëri,
i tmerrshëm në lavdi,
që bën mrekulli?
E shtrive të djathtën
e toka i përpiu.
Me mirësi udhëhoqe
popullin që shpëtove.
Me fuqi i prive
drejt shenjtërores tënde.
Dëgjuan popujt
e u drodhën.
Ankthi i mbërtheu
banorët e Filistesë.
Atëherë u tmerruan
prijësit e Edomit.
Trimat e Moabit
i zunë të dridhurat,
banorët e Kanaanit
u tretën të gjithë nga frika.
Tmerri e frika
i pushtoi ata.
Prej fuqisë së krahut tënd
shtangen e ngurosen,
sa të kalojë populli yt, o ZOT,
sa të kalojë populli që ti bleve.
Popullin do ta marrësh
e do ta mbjellësh
në malin e trashëgimisë tënde,
në banesën tënde,
që ti gatite, o ZOT,
Në shenjtëroren që ngrite
me duart e tua, Imzot.
ZOTI mbretëron
përjetë e përgjithmonë».
Kur kuajt, karrocat dhe kalorësit e faraonit hynë në det, ZOTI lëshoi mbi ta ujërat e detit. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë. Atëherë Mirjama, profetesha, motra e Aronit, mori dajren në dorë. Pas saj dolën të gjitha gratë e filluan të kërcejnë me dajre. Mirjama i printe këngës:
«Këndojini ZOTIT,
se madhërisht ngadhënjeu,
plandosi në det
kuaj e karroca».