Kur i treguan mbretit të Egjiptit se populli kishte ikur, ai bashkë me shërbëtorët e tij ndërruan mendje për izraelitët e thanë: «Çfarë bëmë kështu? Si i lamë të lirë?». Atëherë faraoni bëri gati karrocën dhe mori me vete popullin e tij. Mori gjashtëqind karroca të përzgjedhura dhe tërë karrocat e Egjiptit plot me luftëtarë. ZOTI e ngurtësoi zemrën e faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe ai i ndoqi izraelitët ndërsa dilnin me ngadhënjim. Egjiptianët i ndoqën dhe tërë karrocat, kalorësit dhe ushtria e faraonit i arritën kur po fushonin para detit, në Pi Hahirot para Baal Cefonit. Ndërkohë që faraoni afrohej, izraelitët ngritën sytë dhe ja, egjiptianët po marshonin pas tyre. I zuri një frikë e madhe dhe i thirrën ZOTIT. Pastaj i thanë Moisiut: «Pak varre kishte Egjipti që na solle të vdesim në shkretëtirë? Ç'na bëre kështu që na nxore nga Egjipti? A nuk të thamë që në Egjipt: “Na lër të qetë t'u shërbejmë egjiptianëve, sepse më mirë t'u shërbejmë atyre, sesa të vdesim në shkretëtirë!”». Por Moisiu u tha: «Mos kini frikë! Qëndroni e shikoni sesi do t'ju shpëtojë sot ZOTI. Egjiptianët që po shihni sot nuk keni për t'i parë më kurrë. ZOTI do të luftojë për ju, ndërsa ju rrini qetë!». ZOTI i tha Moisiut: «Përse më thërret? Thuaju izraelitëve të nisen. Ti ngri shkopin dhe shtri dorën mbi det që ta ndash atë. Kështu izraelitët do të kalojnë nëpër tokë të thatë.
Lexo Dalja 14
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Dalja 14:5-16
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video