Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju lutem të bëni një jetë të denjë për Perëndinë që ju thirri, një jetë me shumë përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e pranuar njëri-tjetrin me dashuri, duke u përpjekur të ruani njëshmërinë që vjen nga Shpirti, përmes paqes që ju lidh me njëri-tjetrin. Ka vetëm një trup e vetëm një Shpirt, sikurse dhe ka vetëm një shpresë në të cilën ju thirri Perëndia. Ka vetëm një Zot, një besim, një pagëzim, një Perëndi dhe Atë të të gjithëve, që është mbi të gjithë, që vepron përmes të gjithëve e që banon në të gjithë.
Kështu, secilit nga ne iu dha hiri në atë masë që Krishti deshi të na dhurojë. Prandaj thuhet:
kur u ngrit në lartësi,
të robëruarit i bëri robër të tij
e njerëzve u dha dhunti.
Fjalët «u ngrit», a nuk do të thonë se ai kishte zbritur më parë në pjesët më të ulëta të tokës? Ai që zbriti është po ai që edhe u ngrit përmbi gjithë qiejt, që të përmbushë gjithçka.
Disa ai i bëri apostuj, disa i bëri profetë, disa i bëri ungjilltarë, disa i bëri barinj e mësues, që të përgatisë të shenjtët për të kryer veprën e shërbimit ndaj të tjerëve, për rritjen në besim të trupit të Krishtit, derisa të arrijmë të gjithë në njëshmërinë e besimit dhe në njohjen e Birit të Perëndisë. Kështu do të bëhemi njerëz të përsosur, sipas masës së përsosmërisë së Krishtit, që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej, që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor dhe që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve. Por, duke dëshmuar të vërtetën me dashuri, le të rritemi plotësisht drejt atij që është kreu, Krishtit. Ai bashkon e lidh gjithë trupin nëpërmjet nyjeve dhe çdo gjymtyrë, sipas detyrës së vet, ndihmon në rritjen e trupit dhe në forcimin e tij në dashuri.
Prandaj, në emër të Zotit, po ju them e po ju përbetohem: mos jetoni më ashtu siç jetojnë kombet që mendojnë kotësira. Ata e kanë mendjen të errësuar dhe janë larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që kanë dhe për shkak të ngurtësimit të zemrave të tyre. Ata janë bërë të pandjeshëm, e kanë lëshuar veten në fëlligështi dhe me lakmi të pangopur kryejnë vepra të ndyra.
Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin. Sigurisht ju e keni dëgjuar Jezuin dhe jeni mësuar prej tij, sipas të vërtetës që gjendet në të. Hidhni tej mënyrën e mëparshme të të jetuarit dhe njeriun e vjetër që shkatërrohet nga epshet mashtruese. Përtërihuni në shpirtin e në mendjen tuaj dhe vishni njeriun e ri që Perëndia e krijoi për të jetuar në drejtësinë dhe në shenjtërinë, të cilat vijnë nga e vërteta e tij.