Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Efesianëve 3:1-13

Efesianëve 3:1-13 AL1

Për këtë arsye unë, Pali, i burgosuri i Krishtit Jezu për ju kombet, i lutem Perëndisë. Me siguri ju keni dëgjuar për hirin që më ka dhënë Perëndia për t'ju shërbyer juve dhe për shestimin e tij të fshehtë që ma ka bërë të njohur me anë të një zbulese. Për këtë ju kam shkruar shkurtimisht edhe më parë. Kur t'i lexoni ato që ju shkrova do të mund të kuptoni sesa thellë e njoh të fshehtën për Krishtin që nuk iu bë e njohur njerëzve të breznive të shkuara. Por tani Perëndia përmes Shpirtit, ia zbuloi këtë apostujve e profetëve të tij të shenjtë: përmes ungjillit kombet do të bëhen bashkëtrashëgimtarë me judenjtë, gjymtyrë të një trupi dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të Perëndisë përmes Krishtit Jezu. Unë u bëra shërbëtor i këtij ungjilli falë hirit që m'u dhurua nga Perëndia e që m'u dha falë veprimit të fuqisë së tij. Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m'u dha ky hir për t'u predikuar kombeve pasuritë e pahulumtueshme të Krishtit dhe për të nxjerrë në dritë sesi Perëndia që krijoi gjithçka do të vinte në jetë shestimin e tij që e kishte mbajtur të fshehur prej shekujsh. Kështu tani, nëpërmjet kishës, sundimtarëve e pushteteve në vendet qiellore u bëhet e njohur urtia e shumëfishtë e Perëndisë. Këtë Perëndia e bëri sipas qëllimit të tij të amshuar që ai e përmbushi përmes Krishtit Jezu, Zotit tonë. Të bashkuar me Krishtin dhe përmes besimit në të, mund t'i afrohemi Perëndisë me liri e siguri të plotë. Prandaj ju lutem të mos dëshpëroheni prej vuajtjeve që po kaloj për ju, përkundrazi ta keni për nder.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë