Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Kuvendari 5

5
Cilësitë e të urtit
1Mos e lësho gojën e mos të të ngutet zemra për të thënë fjalë para Perëndisë, se Perëndia është në qiell e ti në tokë, prandaj le të jenë të përkora fjalët e tua.
2Ëndrrat vijnë prej punëve të shumta,
zëri i të marrit, prej fjalëve të shumta.
3Kur t'i zotohesh Perëndisë, mos vono ta plotësosh, se nuk i pëlqejnë marrëzitë. Zotimin që bëre, plotësoje. 4Më mirë të mos zotohesh, se të marrësh zotime e të mos i plotësosh. 5Mos e lër gojën të të çojë në mëkat e mos thuaj para lajmëtarit se ishte mendjelehtësi. Pse të zemërohet Perëndia kundër britmës sate e ta rrënojë veprën e duarve të tua? 6Se, kur shumohen ëndrrat, shumohen edhe tymnajat e fjalët, prandaj druaje Perëndinë.
7Nëse vëren se në një krahinë shtypet skamnori e të drejtit nuk i jepet e drejta, mos u habit nga kjo gjë, se të lartin e vëren dikush më i lartë dhe të gjithë i vëren eprori. 8Dobia e përgjithshme e tokës është kjo: arat e mbretit të punohen.
9Kush e do paranë, nuk ngopet me para. Kush e do pasurinë, nuk ngopet me të ardhura. Edhe kjo është tymnajë. 10Kur shumohet begatia, shumohen edhe ata që e brejnë. Ç'fitim kanë pronarët e saj, përveçse ta shohin me sy? 11I ëmbël është gjumi i punëtorit, si në ngrëntë pak, si në ngrëntë shumë, kurse të kamurin nuk e lë të flejë babëzia. 12Ka edhe një ligësi të rëndë që e kam parë nën diell: pasuria që ruan i zoti për të zezën e vet. 13Kjo pasuri merr fund me një përdorim të gabuar. Lind djali e s'i mbetet gjë në dorë. 14Siç doli nga barku i së ëmës, lakuriq do të kthehet e do të shkojë, siç erdhi. Nuk do të marrë asgjë nga mundi i vet, që ta mbartë në dorë. 15Edhe kjo është ligësi e rëndë. Siç erdhi, ashtu do të shkojë. E ç'dobi ka ai që mundohet për erë? 16Të gjitha ditët e veta i hëngri në errësirë, në brengë të madhe, në sëmundje e në zemërim. 17Ja, më duket mirë e bukur që njeriu të hajë, të pijë e të dëfrejë, prej mundit që heq nën diell, në ditët e numëruara që Perëndia i ka dhënë, se kjo i takon. 18Gjithashtu, çdo njeriu, të cilit Perëndia i dha pasuri e begati, i dha edhe mundësinë të hajë prej saj, të marrë pjesën e vet e të gëzojë mundin e vet. Kjo është dhuratë e Perëndisë. 19Ai nuk do t'i kujtojë shumë ditët e jetës së vet, por Perëndia do ta dëfrejë me gëzimin e zemrës.

Aktualisht i përzgjedhur:

Kuvendari 5: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë