«Dëgjo Izrael, sot po kalon Jordanin për të hyrë e për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë se vetja, qytete të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, një popull të madh e shtatlartë, anakimët, që i njeh dhe për të cilët ke dëgjuar të thuhet: “Kush do t'u bëjë ballë bijve të Anakut?”. Dije, pra, sot, se ZOTI, Perëndia yt, ai vetë, po kalon para teje si një zjarr përvëlues, ai vetë do t'i shkatërrojë e do t'i nënshtrojë ata para teje. Pastaj, ti do t'i zbosh e zhbish menjëherë, siç të tha ZOTI.
Kur ZOTI, Perëndia yt, t'i zbojë para teje, mos thuaj me vete: “ZOTI më solli për ta pushtuar këtë tokë në saje të drejtësisë sime”, sepse ai po i zbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre. Nuk po hyn për ta pushtuar tokën e tyre në saje të drejtësisë sate apo në saje të ndershmërisë së zemrës tënde. ZOTI, Perëndia yt, po i shpronëson para teje këto kombe për shkak të ligësisë së tyre dhe që të mbajë fjalën që u dha etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit.
Dije, pra, se ZOTI, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë tokë të mirë për ta pushtuar në saje të drejtësisë sate, sepse ti je një popull kokëfortë. Mos harro kurrë si e ndeze zemërimin e ZOTIT, Perëndisë tënd, kur ishe në shkretëtirë. Që nga dita kur dole nga toka e Egjiptit e derisa arrite në këtë vend, ngrite krye kundër ZOTIT.
Madje, edhe në Horeb e ndezët zemërimin e ZOTIT. Ai u zemërua me ju e deshi t'ju zhbinte.