Kujdes se mos harron ZOTIN, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, mos të të rritet mendja dhe harron ZOTIN, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. Kujto ZOTIN, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. Por, nëse e harron vërtet ZOTIN, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. Do të merrni fund si kombet që po shkatërron ZOTI para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e ZOTIT, Perëndisë tuaj».