Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 5:6-21

Ligji i përtërirë 5:6-21 AL1

“Unë ZOTI, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje. Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë ZOTI, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezin e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e zbatojnë ligjin tim. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e ZOTIT, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij. Mbaje ditën e shtunë e shenjtëroje, siç të urdhëroi ZOTI, Perëndia yt. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as demi yt, as gomari yt, asnjë nga kafshët e tua dhe as i huaji që rri me ty, që edhe shërbëtori e shërbëtorja jote të pushojnë si ti. Mos harro se edhe ti ishe skllav në tokën e Egjiptit dhe se ZOTI, Perëndia yt, të nxori që andej me dorë të fuqishme e me krah të fortë, prandaj dhe të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë. Ndero atin tënd e nënën tënde, siç të urdhëroi ZOTI, Perëndia yt, që të kesh jetë të gjatë e të të shkojë mbarë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të kotë kundër të afërtit tënd. Mos lakmo gruan e tjetrit. Mos lakmo shtëpinë e tij, as arën e tij, as shërbëtorin e shërbëtoren e tij, as kaun e gomarin e tij, asgjë të tij”.