Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 32:1-43

Ligji i përtërirë 32:1-43 AL1

«Mba vesh, o qiell, se do të flas, dëgjoji, o tokë, fjalët e gojës sime. U derdhtë mësimi im si shiu, pikoftë kumti im si vesa, si pikëlimi mbi bar, si rrebeshi mbi livadh. Emrin e ZOTIT do ta shpall. Madhërojeni Perëndinë tonë! Shkëmb ai, të përsosura veprat e tij, të drejta të gjitha udhët e tij. Perëndi besnik, në të nuk ka padrejtësi. I drejtë e i vërtetë është ai. Kjo brezni e shthurur dhe e mbrapshtë mëkatoi kundër tij e për faj të vet bij të tij nuk janë. A kështu ia shpërblen ZOTIT, o popull i marrë e i pamend? A s'është ati yt, që të krijoi, ai që të bëri e të themeloi? Kujto kohët e moçme, shqyrto vitet e breznive të hershme, pyet tët atë e ai do të të tregojë, pyet pleqtë e ata do të të rrëfejnë. Kur i Tejlarti u dha kombeve trashëgimi, kur njerëzimin ai e ndau, kufijtë e popujve i caktoi, sipas numrit të bijve të Izraelit. Pjesë e ZOTIT është populli i tij, Jakobi, trashëgimia e tij. E gjeti në një vend të shkretë, në një djerrinë ku humbëtira jehon. E përqafoi e për të u kujdes, e ruajti si beben e syrit. Porsi shqiponja që folenë vrojton, e mbi zogjtë e saj flatron. Zoti krahët i shtriu, e kapi, e mbi vete e mbarti. I vetëm ZOTI e udhëhoqi, asnjë perëndi i huaj nuk ishte me të. E vuri të kalërojë mbi bjeshkët e dheut e prodhime fushe ai hëngri. E mëkoji me mjaltë prej shkëmbi, me vaj prej shkrepit të strallit, me gjalpë gjedhi e qumësht dhensh, me dhjamë qengjash e deshësh, me qe Bashani e cjep, bashkë me drithë të përzgjedhur. Gjak rrushi, ti porsi verë pive. Por Jeshuruni u majm e hodhi vickla, u majm, u dend e u trash, harroi Perëndinë që e krijoi, përçmoi shkëmbin që e shpëtoi. E bënë xheloz, me hyjni të huaja, me poshtërsi e ngucën. U kushtuan fli djajve e jo Perëndisë, perëndive që s'i njihnin, perëndive të sapoardhur, që as etërit tuaj nuk i kishin frikë. Shkëmbin që të lindi e harrove, e le mënjanë Perëndinë që të dha jetë. ZOTI e pa dhe i përbuzi, se e ngucën bijtë e bijat e veta. “Do ta fsheh fytyrën”, tha, “Do të shoh ç'fund do të kenë, se janë brezni e mbrapshtë, fëmijë të pabesë. Me perëndi të paqena më bënë xheloz, me kotësi më ngucën. Ndaj dhe unë, xhelozë do t'i bëj, me një popull të paqenë, e me një komb të pamend do t'i nguc. Se flakë m'u ndez zemërimi, flakë që djeg skëterrën thellë, që përzhit tokë e fryt, që me themel malet i shkrumbon. Me ligësi do t'i kaploj, shigjetat mbi ta do t'i shteroj. Do të veniten nga uria, do të sharrojnë nga murtaja e nga i hidhuri shfarim. Do të çoj bisha për t'i shqyer me dhëmbë, bashkë me helmin e zvarritësit të pluhurit. Do t'i grijë përjashta shpata e brenda lemeria, të riun, edhe vashën, foshnjën bashkë me burrin plak. Copë-copë, thashë t'i bëja, fshirë nga kujtesa e njerëzve, por druaj se armiqtë do të mburreshin, do të gënjeheshin kundërshtarët e do të thoshin: ‘Dora jonë, ajo ngadhënjeu, të gjitha këto nuk i bëri ZOTI’”. Popuj ku arsyeja ka marrë fund, ku gjykimi s'ka më vend. Në ishin të urtë, do ta kuptonin, do ta merrnin vesh fundin që i pret. Si mundet njëri të ndjekë një mijë e dy të zmbrapsin mijëra, po mos qe Shkëmbi që i shiti, ZOTI që i dorëzoi? Se shkëmbi i tyre s'është si i yni, kështu mendojnë edhe armiqtë tanë. Hardhia e tyre, hardhi Sodome, prej vreshtave të Gomorrës. Rrushi i tyre, rrush helmi, vilet të hidhura i kanë. Vera e tyre, vrer gjarpërinjsh, helm i tmerrshëm shlligash. A nuk i kam ruajtur këto pranë vetes, a nuk i kam kyçur në visaret e mia? Derisa të vijë dita e hakmarrjes dhe e shpagimit, derisa këmba t'u rrëshqasë, se afër është dita e shkatërrimit, fati i tyre shpejt nxiton. ZOTI do të bëjë drejtësi për popullin e tij, do të ketë dhembshuri për shërbëtorët e tij, kur të shohë se e lanë fuqitë e se s'ka më rob e të lirë. Veçse ai do të thotë: “Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi ku kërkonin strehë, ata që hëngrën dhjamin e flijuar dhe pinë verën e blatuar? Të ngrihen, pra, e t'ju shpëtojnë, ata t'ju strehojnë”. Shikoni, pra, se unë e vetëm unë jam Perëndi, e krah meje s'ka tjetër. Unë vras e kthej në jetë, unë gjymtoj e shëroj. Prej meje s'ka kush të të shpëtojë. Dorën ngre drejt qiellit e betohem: “Pasha jetën time të amshuar, do ta mpreh shpatën që vezullon, do ta rrokë dora ime gjykimin, do t'u hakmerrem armiqve, e hasmit do t'ia shpërblej. Me gjak do t'i deh shigjetat e mia, me mish shpatën do ta ngop, me gjakun e të vrarëve e të robërve, me kokat e prijësve armiq”. Ngazëlloni, o kombe, me popullin e tij, se e shpagoi gjakun e shërbëtorëve të tij, kundërshtarëve ua shpërbleu, e shleu tokën e popullit të tij».