Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 26:1-19

Ligji i përtërirë 26:1-19 AL1

«Kur të hysh në tokën që po të jep për trashëgimi ZOTI, Perëndia yt, kur ta pushtosh e të banosh në të, merri të gjitha prodhimet e para të tokës që po të jep ZOTI, Perëndia yt, vendosi në shportë e shko te vendi që ZOTI, Perëndia yt, do të zgjedhë për të vënë emrin e tij. Shko te prifti që shërben gjatë asaj kohe e thuaji: “Unë shpall sot para ZOTIT, Perëndisë tënd, se hyra në tokën që ZOTI u premtoi etërve tanë se do të na e jepte neve”. Atëherë prifti do të ta marrë shportën nga dora e do ta vendosë para altarit të ZOTIT, Perëndisë tënd. Ti do të përgjigjesh e do të thuash para ZOTIT, Perëndisë tënd: “Im atë ishte një arameas endacak, shkoi në Egjipt me një grusht njerëz e atje banoi si i huaj. U bë një komb i madh, i fuqishëm e i shumtë. Egjiptianët na keqtrajtuan, na shtypën e na munduan me punë të rënda. Ne i thirrëm ZOTIT, Perëndisë së etërve tanë, e ZOTI na dëgjoi e i pa vuajtjet, mundimet dhe mjerimin tonë. Ai na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme, me krah të fortë, me vepra të tmerrshme, me shenja e mrekulli. Na solli në këtë vend e na dha këtë tokë, tokën që rrjedh qumësht e mjaltë. Prandaj dhe i solla frytet e para të tokës që më dhe ti, o ZOT”. Atëherë vendosi para ZOTIT, Perëndisë tënd, e përkulu me nderim para tij. Gëzohuni, ti, leviti dhe i ardhuri mes teje, me çdo të mirë që ZOTI, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate. Kur të kesh mbaruar së mbledhuri të dhjetën e tërë prodhimeve të vitit të tretë, që është viti i të dhjetave, jepja levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, që ata të hanë në qytet e të ngopen. Atëherë do të thuash para ZOTIT, Perëndisë tënd: “E hoqa të dhjetën e shenjtëruar nga shtëpia e për më tepër ia dhashë levitit, të ardhurit, jetimit e të vesë, sipas çdo urdhërimi që më dhe. Nuk shkela e nuk harrova asnjë nga urdhërimet e tua. Nuk hëngra nga e dhjeta kur isha në zi, nuk e hoqa kur isha i papastër e as nuk ia dhashë të vdekurit. Ta dëgjova zërin, o ZOT, Perëndia im, dhe bëra gjithçka që më urdhërove. Hidhi sytë prej banesës tënde të shenjtë, prej qiellit, dhe bekoje popullin tënd, Izraelin, e tokën që na dhe, siç u premtove etërve tanë, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë”. Në këtë ditë, ZOTI, Perëndia yt, po të urdhëron që t'i mbash këto rregulla e vendime. Mbaji e zbatoji me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Në këtë ditë ke shpallur se ZOTI është Perëndia yt, se do të ecësh udhëve të tij, do të mbash rregullat, urdhërimet e vendimet e tij e do të dëgjosh zërin e tij. Edhe ZOTI të ka shpallur sot popullin e tij të çmuar, siç të premtoi, se do t'i mbash urdhërimet e tij, se do të të lartësojë në lavdërime, në emër e në nder mbi çdo komb që krijoi dhe se do të jesh një popull i shenjtë për ZOTIN, Perëndinë tënd, siç premtoi».