«Askush të mos martohet me gruan e të atit, se e turpëron të atin.
Asnjë i tredhur apo me gjymtyrën mashkullore të prerë, nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e ZOTIT.
Asnjë fëmijë i paligjshëm nuk do të marrë pjesë në bashkësinë e ZOTIT. Madje, as pasardhësit e brezit të tij të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e ZOTIT.
Amonitët e moabitët nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e ZOTIT. Madje, as pasardhësit e brezit të tyre të dhjetë nuk do të marrin pjesë në bashkësinë e ZOTIT. Nuk do të marrin pjesë kurrë, sepse nuk ju pritën rrugës me bukë e ujë, kur dolët nga Egjipti. Ata paguan Balaamin, birin e Beorit, nga Petora e Aram Naharaimit, që t'ju mallkonte, por ZOTI, Perëndia yt, nuk deshi ta dëgjonte Balaamin. ZOTI, Perëndia yt, ta ktheu mallkimin në bekim, sepse të do. Sa të jesh gjallë, mos bëj kurrë paqe me ta e mos iu sill mbarësi.
Mos e urre edomitin se e ke vëlla. Mos e urre as egjiptianin, sepse ishe i huaj në tokën e tij. Pasardhësit e brezit të tyre të tretë mund të marrin pjesë në bashkësinë e ZOTIT.
Kur të fushosh kundër armiqve, ruhu nga gjithçka e keqe. Nëse dikush prej jush është i papastër, për shkak të derdhjes së farës gjatë natës, të dalë jashtë fushimit e të mos hyjë brenda. Në të ngrysur të lahet me ujë e të hyjë brenda fushimit pasi të perëndojë dielli.
Cakto një vend jashtë fushimit për nevojat vetjake. Mbaj një lopatë me pajisjet e tua, që, kur të dalësh jashtë, të hapësh një gropë e ta mbulosh jashtëqitjen. Fushimi yt do të jetë i shenjtë, sepse ZOTI, Perëndia yt, ecën përmes fushimit, që të të ruajë e të t'i shtjerë në dorë armiqtë e tu. Nëse duket ndonjë gjë e pahijshme, ai do të largohet prej teje.
Mos ia dorëzo të zotit skllavin që iku e erdhi te ti. Le të rrijë me ty, në vendin ku ti banon e të zgjedhë një qytetet që i pëlqen. Mos e shfrytëzo.
Asnjë nga bijat e Izraelit të mos jetë lavire kulti e asnjë nga bijtë e Izraelit të mos jetë lavir kulti.