«Kur ZOTI, Perëndia yt, të shfarosë popujt, tokën e të cilëve po ta jep, e kur t'i pushtosh dhe të banosh në qytetet e shtëpitë e tyre, cakto tri qytete në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt, për ta pushtuar. Ndaje në tri krahina tokën, që do të të japë për trashëgimi ZOTI, Perëndia yt, dhe ndërto rrugë, që vrasësit të mund të ikin atje.
Sipas këtij ligji, vrasësi mund të ikë atje për të shpëtuar, vetëm nëse e vret të afërtin padashur e pa pasur më parë ndonjë armiqësi me të. Nëse ndodh, pra, që ai shkon në pyll me dikë, për të prerë dru, e, ndërsa priste dru, koka e sëpatës del nga bishti, i bie tjetrit dhe ai vdes, atëherë vrasësi të ikë në njërin prej këtyre qyteteve, që të shpëtojë. Por, nëse rruga është e gjatë, gjakmarrësi do ta ndjekë me gjaknxehtësi, do ta zërë e do t'ia marrë jetën edhe pse vrasësi nuk e meritonte të dënohej me vdekje, ngaqë nuk pati ndonjë armiqësi mes tyre. Prandaj dhe po të urdhëroj të caktosh tri qytete.
Nëse ZOTI, Perëndia yt, t'i zgjeron kufijtë, siç iu betua etërve të tu, e të jep tërë tokën që u premtoi atyre, ngaqë i mbajte të gjitha këto urdhërime që unë po të urdhëroj sot, për ta dashur ZOTIN, Perëndinë tënd, dhe për ta ndjekur udhën e tij tërë jetën, atëherë shto edhe tri qytete të tjera. Kështu, nuk do të derdhet gjak i pafajshëm në tokën që po të jep për trashëgimi ZOTI, Perëndia yt, dhe ti nuk do të jesh fajtor për gjakun e derdhur.
Por, nëse dikush e urren të afërtin, i vë pritë, e sulmon, e qëllon dhe ai vdes, nëse vrasësi ikën në njërin prej këtyre qyteteve, atëherë pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë njerëz për ta marrë që andej, do t'ia dorëzojnë gjakmarrësit dhe ai do të vdesë. Mos të të vij keq për të. Hiqe derdhjen e gjakut të pafajshëm në Izrael e do të të shkojë mbarë.